Bernë, 18 tetor / Ambasadori i deritanishëm zviceran Thomas Kolly ka përfunduar misionin e tij diplomatik në Kosovë.
Ministria e Punëve të Jashtme të Zvicrës sot ka njoftuar gazetën zvicerane në shqip Le Canton27.ch se për ambasador të ri kanë emëruar diplomatin Jürg Sprecher.
Ditë më parë, ambasadori zviceran në largim, në takimin e fundit përshëndeti kryeministrin Albin Kurti dhe falënderoi kryeministrin për komunikimin e rregullt dhe bashkëpunimin e afërt. Ai u shpreh mirënjohës për kohën e tij në Kosovë.
“Jürg Sprecher, aktualisht shef i misionit në Karakas., është emëruar ambasador fuqiplotë në Republikën e Kosovës, me rezidencë në Prishtinë”. (“Lors de la séance du Conseil fédéral, Jürg Sprecher a été nommé ambassadeur extraordinaire et plénipotentiaire en République du Kosovo”), thuhet në njoftimin e ministrisë së punëve të jashtme zvicerane (DFAE) në Berne të dërguar ATV-së dhe gazetës zvicerane në shqip Le Canton27.ch.
Zvicra është vendi i dytë për nga investimet direkte në Kosovë, ndërsa vetëm për vitet 2022-2025 ka ndarë afërsisht 86 milionë CHF për Kosovën, veçanërisht në fushat e Qeverisjes Demokratike dhe Paqes, Zhvillimit të Qëndrueshëm Ekonomik dhe Ndryshimet Klimatike, Uji dhe Shëndeti.
Në një intervistë të fundit për gazetën zvicerane Le Canton27.ch, ambasadori zviceran në Prishtinë, z. Thomas Kolly, tha: “Zvicra sot është investitori i dytë më i madh në Kosovë pasi ka ofruar ndihmë thelbësore për Kosovën që nga viti 1998. Ajo deri më tani ka ofruar më shumë se 500 milionë CHF për Kosovën dhe mbetet partneri i tretë bilateral i zhvillimit të Kosovës.”
Dy fjalë për ambasadorin e ri në Kosovë, i cili do të nisë misionin në nëntor të këtij viti
Jürg Sprecher studioi ekonominë politike dhe menaxhimin e biznesit në Bazel dhe Barcelonë. Ka përfunduar studimet e doktoraturës në shkenca politike në Universitetin e Bazelit në Zvicër. Në vitin 2009, ai iu bashkua Departamentit Federal të Punëve të Jashtme (FDFA) dhe kreu stazhin e tij në Bernë, Gjenevë dhe Tel Aviv.
Në maj 2010, ai u emërua në Sekretariatin e Përgjithshëm të FDFA si Këshilltar për Çështjet e Këshillit Federal dhe në shkurt 2011 në Divizionin e Burimeve Njerëzore të Drejtorisë së Burimeve, më vonë si Zëvendës Shef Seksioni. Ai u transferua në Madrid në vitin 2014 si zëvendës shef i misionit. Në vitin 2018, ai u kthye në Bernë dhe u dërgua në Departamentin Federal të Çështjeve Ekonomike, Edukimit dhe Kërkimit, ku drejtoi sektorin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Qendrore së shërbimit të Marrëdhënieve Ekonomike Dypalëshe të Sekretariatit të Shtetit për ekonominë SECO. Në shtator 2020, ai mori rolin e shefit të misionit në Ambasadën Zvicerane në Karakas.
Jürg Sprecher flet gjermanisht, frëngjisht, anglisht dhe spanjisht.