Dani Carvajal është aktualisht pa klub, pasi kontrata e tij me Real Madridin përfundoi në qershor. Mbrojtësi spanjoll i ka dhënë fund aventurës së gjatë në Madrid dhe tashmë po shqyrton mundësitë për të vijuar karrierën në një tjetër klub të madh evropian.
34-vjeçari është lojtar i lirë dhe mund të firmosë me çdo skuadër, ndërsa së fundmi emri i tij është lidhur me një prej klubeve më të mëdha të Premier League.
Ish-mbrojtësi i Manchester Cityt, Joleon Lescott, gjatë një transmetimi për TNT Sports, zbuloi se ka dëgjuar për biseda që e lidhin Carvajalin me Liverpoolin.
“Ka biseda për Liverpoolin dhe Carvajalin”, deklaroi Lescott, duke e vendosur spanjollin në orbitën e klubit anglez.
Një transferim i tillë mund të ishte interesant për Liverpoolin, duke marrë parasysh situatën në krahun e djathtë të mbrojtjes. Jeremy Frimpong nuk ka bindur plotësisht në aspektin defensiv, ndërsa Conor Bradley pritet të rikthehet vetëm në fund të vitit pas dëmtimit të rëndë në gju.
Në këto rrethana, Liverpooli është detyruar të përdorë edhe Ronald Araújon në atë pozicion, duke e bërë krahun e djathtë një prej reparteve që mund të ketë nevojë për përforcime.
Përvoja e Carvajalit, e fituar gjatë viteve në nivelet më të larta të futbollit evropian, do të ishte një vlerë e shtuar për skuadrën angleze.
Megjithatë, transferimi i tij në “Anfield” nuk do të ishte i thjeshtë, pavarësisht faktit se spanjolli është lojtar i lirë.
Liverpooli i ka plotësuar tashmë 25 vendet e lejuara për skuadrën në Premier League, ndërsa edhe kuota prej 17 lojtarësh të huaj është e mbushur. Për këtë arsye, nëse Carvajal do të transferohej te Liverpooli, ai nuk do të mund të regjistrohej menjëherë për kampionatin.
Në këtë rast, mbrojtësi spanjoll do të duhej të priste deri në janar, kur Liverpooli mund të lironte një prej vendeve të zëna nga lojtarët e huaj dhe më pas ta regjistronte Carvajalin.
Ndërkohë, spanjolli vazhdon të stërvitet individualisht së bashku me ish-shokun e tij të skuadrës, Joselu, ndërsa mbetet në pritje të një oferte që i përshtatet ambicieve të tij.
Carvajal duket se ka refuzuar mundësinë për t’iu bashkuar një kampionati të një niveli më të ulët, pavarësisht ofertave që ka marrë nga Lindja e Mesme. Prioriteti i tij mbetet vazhdimi i karrierës në nivelet më të larta të futbollit evropian.
Liverpooli mund të jetë një destinacion i përshtatshëm për 34-vjeçarin, por mbetet për t’u parë nëse klubi anglez do të gjejë një zgjidhje për çështjen e regjistrimit të tij.





