Kryetarët dhe përfaqësuesit e komunave të Kosovës kanë vendosur të protestojnë më 1 shtator, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të kundërshtuar, siç thonë, neglizhimin e kërkesave të tyre nga niveli qendror.
Asociacioni i Komunave të Kosovës(AKK) thekson se problemet financiare, moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe ndërhyrjet në kompetencat komunale kanë bërë që dialogu të shterojë.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi në një itervistë për Ekonomia Online, ka thënë se ky vendim është marrë pas takimit të Këshillit të Kryetarëve, i cili është mekanizëm në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës.
“Sot patëm takimin e Këshillit të Kryetarëve, i cili është mekanizëm në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës, dhe njëzëri kryetarët dhe përfaqësuesit e komunave prezentë në takim morën vendim që më 1 shtator, në ora 11:00, në sheshin “Skënderbeu”, afër ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, të organizohet protestë e komunave”, tha ai.
Ibrahimi ka thënë se vendimi për protestë ka ardhur pasi, sipas tij, janë shterur pothuajse të gjitha rrugët e dialogut me nivelin qendror.
“Kemi shumë arsye sa i përket kësaj proteste, sepse të gjitha rrugët e dialogut pothuajse janë shterur me nivelin qendror. Pothuajse që disa vite kërkesat e komunave janë injoruar në mënyrë totale. Nuk ka pasur një bashkëpunim të sinqertë me komunat. Në takimet të cilat janë zhvilluar me nivelin qendror vetëm kërkesat e komunave janë dëgjuar, mirëpo nuk ka pasur asnjë impakt nga takimet të cilat i kemi organizuar me nivelin qendror. Dhe kështu që përfundimisht erdhi vendimi i kryetarëve të komunave prezentë në takimin e Këshillit që më 1 shtator, në ora 11:00, të kemi protestën e komunave, ku protesta do të ketë qëllimin që problemet të cilat janë adresuar nga komunat e Republikës së Kosovës ndër vite të miratohen apo të merren parasysh nga niveli qendror”, tha Ibrahimi.
Ibrahimi ka thënë se një prej kërkesave kryesore të komunave lidhet me mjetet financiare për kontratat kolektive.
“Kërkesa e parë normal është që me qindra miliona euro komunave u janë marrë në mënyrë të padrejtë nga kontratat kolektive. Pastaj kemi edhe moszbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga niveli qendror sa i përket normës së kompensimit për përvojën e punës. Domethënë, nga marsi i vitit 2023, 2024, 2025, niveli qendror nuk e ka zbatuar këtë aktgjykim, edhe pse është kërkuar nga Gjykata Kushtetuese. Pastaj kemi çështjen e dëmit nga vërshimet, që nga viti 2022 kemi bujq, fermerë, qytetarë, të cilët nuk u janë kompensuar nga niveli qendror, edhe pse përgjegjësia institucionale është e nivelit qendror. Pastaj është problemi i rishikimit të grantit për arsim, sepse vetëm këtë vit komunat do të jenë të obliguara që t’i mbulojnë shpenzimet e rreth mbi 3 mijë mësimdhënësve, që vlera totale është rreth 24 milionë euro. Nga moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, komunat do të dëmtohen në vlerë deri në 60 milionë euro. Gjithashtu edhe kontratat kolektive me qindra miliona euro. Domethënë, komunat janë në një situatë jashtëzakonisht të vështirë sa i përket financave.”, tha ai.
Ibrahimi ka thënë se një pjesë e rëndësishme e protestës lidhet edhe me, siç e ka quajtur ai, tendencën e nivelit qendror për marrjen ose ndërhyrjen në kompetencat e komunave.
“Gjithashtu edhe tendenca e marrjes së kompetencave apo ndërhyrja e nivelit qendror në kompetencat e komunave ka një impakt të jashtëzakonshëm në qëllimin e kësaj proteste. Domethënë ndalja e centralizimit të kompetencave; kemi pasur Inspektoratin e Tregut, kemi pasur procesin e rekrutimit, tash edhe me çështjen e pronave publike, por gjithashtu edhe themelimi i grantit të katërt për investime kapitale, e cila është një kërkesë që disa vite e kërkuar nga kryetarët e komunave, mirëpo niveli qendror nuk i ka përkrahur kryetarët e komunave në themelimin e grantit të katërt për investime kapitale. Gjithashtu edhe një krijim i një fondi emergjent për komuna”, tha ai.
Ai ka bërë të ditur se motoja e protestës do të jetë “Mos u merrni komunave atë që u takon qytetarëve!”.
“Motoja e protestës së komunave, e cila do të mbahet më 1 shtator në ora 11:00, është: “Mos u merrni komunave atë që u takon qytetarëve!” Domethënë, edhe çështjen e buxheteve, edhe çështjen e kompetencave, dhe po besojmë se do të jetë një protestë masive. Normale që është apolitike, kjo është në mbrojtje të interesave të qytetarëve në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të komunave, sepse komunat janë më afër qytetarëve në zgjidhjen e problemeve.”
I pyetur për deklaratën e ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati i cili deklaroi se buxheti vitin e ardhshëm do të arrijë 900 milionë euro, Ibrahimi ka thënë se ndarja e tyre përcaktohet me legjislacionin në fuqi dhe me formula të përcaktuara.
“Shikoni, çështja e buxheteve është e ndërlidhur me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës. Që disa vite kemi trumbetim nga niveli qendror se buxhetet për komuna po rriten. Neve i kemi formulat të cilat e përcaktojnë ndarjen e buxheteve ndaj komunave, dhe ato formula nuk mund të ndryshohen nga ndonjë ministër pa aprovim apo miratim të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me automatizëm, për qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të elaborohet kjo çështje, sepse trumbetohet që po rritet buxheti për nivelin lokal. Por, nëse buxheti i Republikës së Kosovës është 3 miliardë euro, me automatizëm granti i përgjithshëm në bazë të legjislacionit në fuqi, nuk është kjo në vullnetin e një ministri është rreth 10% e buxhetit total të Republikës së Kosovës, që i i bie pe marr shembull 300 milionë euro. Nëse buxheti i Republikës së Kosovës është 4 miliardë, me automatizëm në bazë të legjislacionit në fuqi komunave, në bazë të legjislacionit, i shtohen edhe 100 milionë euro. Jo që është vullneti i ministrit në këtë rast”, u shpreh Ibrahimi për Ekonomia Online.
Ibrahimi ka folur edhe për çështjen e grantit të arsimit dhe kompetencat komunale në arsimin parauniversitar.
“Çështja e grantit të arsimit: po shihet që përpara niveli qendror ka trumbetuar se kompetencë ekskluzive është e nivelit qendror çështja e arsimit parauniversitar, ju e dini rastin me ish-kryetarin e Kamenicës, Kastrati, apo? Ku ministrja Nagavci e ka humbur rastin në Gjykatën Kushtetuese, ku ka bërë një intervenim të drejtpërdrejtë në kompetencat e komunave. Dhe ajo ka dalë që është kompetencë e komunës, e jo e nivelit qendror. Po tash çka ka ndodhur? Tash niveli qendror, në të kaluarën ka thënë që është kompetencë e nivelit qendror, tash po u thotë komunave “Largoni ju 3.300 punëtorë arsimorë”. Domethënë tash po t’ia bartë përgjegjësinë komunave, po edhe ato që t’i largojnë mësimdhënësit potencialisht, edhe pse kanë kontratë pune. Për këtë duhet një bashkëpunim i nivelit qendror dhe nivelit lokal”, tha Ibrahimi.
Ai ka deklaruar se, pavarësisht deklaratave të ministrit Murati, sipas tij, nuk ka pasur zgjidhje të problemeve të komunave.
“Deklarata të tilla kemi dëgjuar ndër vite, mirëpo zgjidhje të problemeve nuk kemi pasur asnjëherë. E kanë centralizuar kompetencën e Inspektoratit të Tregut, Sanitar, Veterinar, procesin e rekrutimit. Ka pasur tendencë ndërhyrjeje në marrjen e mjeteve financiare nga të hyrat vetanake. Domethënë, këto probleme të cilat janë akumuluar ndër vite, kryetarët nuk kanë mundur t’i zgjidhin përmes dialogut dhe kanë vendosur që të protestojnë”, ka thënë ai.
Ibrahimi ka thënë se protesta do të jetë kërkesë e komunave për mbrojtjen e buxheteve dhe autonomisë së tyre.
“Protesta jonë është kërkesë e komunave të Republikës së Kosovës në mbrojtjen e buxheteve vetanake dhe në mbrojtjen e autonomisë sa i përket kompetencave”, deklaroi në fund ai.





