Diant Ramaj ka kompletuar rikthimin te Copenhagen, duke u transferuar në formë huazimi nga Borussia Dortmund. Marrëveshja mes klubeve përfshin edhe një opsion blerjeje, që mund t’i mundësojë klubit danez ta transferojë përfundimisht portierin 24-vjeçar.
Portieri me prejardhje nga Kosova nuk kishte hapësirën e dëshiruar te Borussia Dortmund dhe tashmë do të vazhdojë karrierën në Danimarkë, te një klub që e njeh mirë nga aventura e tij e mëparshme.
Drejtori i Copenhagenit, Kristjaan Speakman, ka shprehur kënaqësinë për rikthimin e Ramajt, duke vlerësuar karakterin dhe përvojën e tij.
“Ne e njohim shumë mirë Diantin dhe jemi të lumtur ta mirëpresim përsëri në Copenhagen. Ai është një lojtar ambicioz, i orientuar drejt ekipit dhe me një kulturë të fortë pune, gjë që është e rëndësishme për grupin tonë”, u shpreh Speakman.
Ai theksoi gjithashtu cilësitë e portierit në fushë dhe ndikimin që Ramaj mund të ketë në skuadër gjatë këtij sezoni.
“Ai ka aftësi të shkëlqyera udhëheqëse për pozicionin e tij dhe rikthehet me më shumë përvojë. Kjo do të thotë se mund të ketë një ndikim edhe më të madh për ne këtë sezon”, shtoi drejtori i klubit danez.
Edhe vetë Ramaj është shprehur i kënaqur për rikthimin te Copenhagen, klubin që e kishte lënë pak më shumë se një vit më parë për t’u kthyer në futbollin gjerman.
“Jam shumë i lumtur që marrëveshja është finalizuar dhe mezi pres t’u bashkohem përsëri djemve. Kam kaluar një kohë fantastike këtu dhe mezi pres ta vazhdoj atë”, deklaroi Ramaj.
Portieri shqiptar me prejardhje nga Kosova tha se ndihet mirë në ambientin e Copenhagenit dhe veçanërisht në atmosferën që krijohet në stadiumin Parken.
“Klubi dhe mentaliteti janë një përshtatje shumë e mirë për mua, sepse edhe unë dal në fushë për të fituar çdo herë dhe kjo është ajo që më motivon”, u shpreh ai.
Ramaj theksoi se tani dëshiron të fokusohet te puna dhe rezultatet me skuadrën e re.
“Qëndrimi im i mëparshëm në Copenhagen ishte shumë pozitiv, por tashmë ai i përket së kaluarës. Tani bëhet fjalë për të dhënë maksimumin çdo ditë në stërvitje dhe për ta ndihmuar ekipin drejt fitoreve të reja”, përfundoi portieri.
Me rikthimin në Copenhagen, Ramaj synon të fitojë minuta dhe të rikthehet në formën që e kishte bërë një nga portierët më të përfolur në futbollin danez, ndërsa klubi ka lënë të hapur mundësinë për ta transferuar përfundimisht në fund të huazimit.





