Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) po vazhdon aksionin e kontrolleve të produkteve të qumështit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Gjatë ditës së sotme janë inspektuar markete në rajonet e Prizrenit, Ferizajt, Vushtrrisë dhe Gjilanit.
Sipas një njofitmi për media thuhet se në kuadër të këtyre inspektimeve janë konstatuar ende në treg produkte të cilat janë ndaluar për shitje nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
“Konkretisht, nga raftet e marketeve të inspektuara janë tërhequr këto produkte: Qumësht 3.2% VIDAS – 1 L, Holla Cooking Cream – 1 L, Garden Milk – 1 L, Spec me krem VIDAS – 1 kg, Magic Cream – 400 g, Schmand 18% – 800 g, Djath i bardhë 100% – 250 g”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se inspektorët e IQMT-së kanë urdhëruar operatorët ekonomikë që këto produkte të tërhiqen menjëherë nga raftet e shitjes, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“IQMT u bën thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të zbatojnë pa vonesë urdhrat për tërheqjen e këtyre produkteve nga tregu, duke respektuar vendimet e autoriteteve kompetente dhe legjislacionin në fuqi. Po ashtu, IQMT u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që, nëse hasin në treg ndonjërin nga produktet e lartcekura, të ndaluara për shitje nga AUV, ta raportojnë rastin përmes platformës Viber në numrin +383 (0) 46 311-000”, thuhet ndër të tjera në njoftim.





