Spekulimet që lidhnin sulmuesin norvegjez Erling Haaland me projektin e kandidatit për presidencën e Real Madridit, Enrique Riquelme, kanë marrë një goditje të fortë pas zhvillimeve të fundit.
Sipas mediumit spanjoll Marca, agjentja e Haalandit, Rafaela Pimienta, ka kontaktuar personalisht presidentin aktual të klubit, Florentino Pérez, për të mohuar kategorikisht ekzistencën e ndonjë marrëveshjeje mes sulmuesit të Manchester City dhe Riquelmes.
Raporti thekson se Pimienta ka ndërmarrë këtë hap për të sqaruar situatën pas zërave që qarkulluan në mediat spanjolle dhe rrjetet sociale, ku pretendoheshin akorde të fshehta në rast se Riquelme do të fitonte zgjedhjet presidenciale te Real Madrid.
Kontakti i drejtpërdrejtë me Perezin shihet si një përpjekje për të shmangur keqkuptimet dhe për të ndalur spekulimet që kanë marrë hov ditët e fundit për të ardhmen e sulmuesit norvegjez.
Haaland mbetet një nga emrat më të përfolur në tregun e transferimeve, dhe lajmet për një kalim të mundshëm te Real Madrid nuk kanë munguar, por informacioni i fundit i publikuar nga Marca konfirmon se nuk ekziston asnjë marrëveshje mes lojtarit dhe Enrique Riquelmes.





