Lituania të mërkurën ka lëshuar një paralajmërim për “rrezik ajror”, duke u kërkuar qytetarëve të strehohen dhe duke pezulluar trafikun në aeroportin e kryeqytetit, për shkak të frikës nga dronë që mund të kenë shkelur hapësirën ajrore të vendit.
“Menjëherë strehohuni në një vend të sigurt, kujdesuni për të afërmit tuaj, prisni rekomandime të reja”, ka thënë ushtria e Lituanisë në një mesazh dërguar banorëve të kryeqytetit.
Nuk ishte menjëherë e qartë se sa gjerësisht u shpërnda deklarata.
Një paralajmërim është lëshuar gjithashtu edhe në ndërtesën e parlamentit në Vilnius.
“Për shkak të rrezikut të sulmit ajror, u kërkojmë të gjithë personave në ndërtesë të shkojnë në strehën më të afërt”, thuhej në një njoftim të transmetuar përmes interfonit në parlament.
Qendra kombëtare e menaxhimit të krizave në Lituani ka bërë të ditur më herët se ka lëshuar alarm pas raportimeve për një dron në Bjellorusinë fqinje, i cili është parë duke fluturuar drejt Lituanisë, duke shtuar se origjina e tij nuk është konfirmuar.
Ndërkohë, një avion luftarak i NATO-s të martën ka rrëzuar një dron të dyshuar ukrainas mbi Estoninë, sipas autoriteteve të vendit baltik, në një seri incidentesh që po ndodhin në rajon mes sulmeve të shpeshta ukrainase ndaj Rusisë fqinje.





