Arsenali është shpallur kampion i Ligës Premier për herë të parë që prej epokës së artë të Arsene Wengerit në vitin 2004, pasi Manchester City ndali me barazim 1-1 në transfertë ndaj Bournemouthit.
Triumfi i “Topçinjve” përfaqëson kulmin e një projekti të ndërtuar me durim dhe vizion nga Mikel Arteta. Në punën e tij të parë si trajner, spanjolli ka transformuar Arsenalin nga një skuadër në krizë në forcën dominuese të futbollit anglez, që nga momenti kur mori drejtimin e ekipit në dhjetor të vitit 2019.
Pas tri sezoneve të mbyllura si nënkampion, Arsenali më në fund arriti ta thyejë “mallkimin” dhe ta rikthejë titullin në Londër. Edhe pse City e ngushtoi diferencën prej nëntë pikësh pas fitores në “Etihad” gjatë muajit prill, skuadra e Artetës tregoi karakter kampioni në momentet vendimtare.
Në fazën finale të sezonit, gara për titull mori formën e një “playoff-i” dramatik mes dy rivalëve. City humbi terren me barazimin ndaj Evertonit, ndërsa Arsenali reagoi në mënyrë perfekte duke regjistruar katër fitore radhazi pa pësuar asnjë gol, përfshirë suksesin minimal 1-0 ndaj Burnleyt.
Festimet zyrtare të titullit do të zhvillohen të dielën në “Selhurst Park”, pas sfidës së fundit sezonale kundër Crystal Palace.
Ndërkohë, Arteta pritet të bëhet trajneri me qëndrimin më të gjatë në katër divizionet kryesore të futbollit anglez, në rast se konfirmohet largimi i Pep Guardiolës nga Manchester City pas një dekade.
Por sezoni historik i Arsenalit mund të bëhet edhe më i madh. “Topçinjtë” kanë mundësinë të kompletojnë një edicion të paharrueshëm, teksa më 30 maj do të përballen me Paris Saint-Germain në finalen e Ligës së Kampionëve.
Vetëm pesë skuadra angleze në histori kanë arritur ta fitojnë kampionatin dhe Ligën e Kampionëve brenda të njëjtit sezon, me Manchester Cityn që ishte i fundit që e realizoi këtë sukses në vitin 2023.





