Disa aleatë të Shteteve të Bashkuara kanë shprehur shqetësimin e tyre, lidhur me vendimin e Uashingtonit për t’i dërguar bomba kasetore Ukrainës.
Të premten, SHBA-ja konfirmoi se do t’i dërgojë armët e diskutueshme Ukrainës, derisa presidenti Joe Biden, këtë e cilësoi si “vendim shumë të vështirë”.
Pas vendimit të qeverisë amerikane, Britania, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Spanja, thanë se kundërshtojnë përdorimin e këtyre armëve.
Bombat kasetore janë të ndaluara në më shumë se 100 shtete, për shkak të rrezikut që ato paraqesin për civilët.
Ato zakonisht lirojnë shumë bomba më të vogla që mund të vrasin pa dallim, në një zonë tët gjerë.
Këto bomba gjithashtu kanë shkaktuar polemika për shkak të shkallës së tyre të dështimit.
Bombat e pashpërthyera mund të qëndrojnë në tokë për vite dhe më pas të shpërthejnë në mënyrë të pakontrolluar.
Presidenti amerikan, Joe Biden, tha në një intervistë për “CNN” të premten se ka folur me aleatët lidhur me këtë vendim, që ishte pjesë e një pakoje të ndihmave ushtarake, në vlerë të 800 milionë dollarëve.
I pari i SHBA-së tha se është dashur të kalojë një kohë që ai të bindet që ta marrë këtë vendim, por veproi për shkak se ukrainasve po u mbaron municioni.
Vendim i Bidenit është kritikuar edhe nga grupet e të drejtave të njeriut, teksa “Amnesty International” tha se bombat kasetore paraqesin “kërcënim të madh për jetët e civilëve, edhe shumë kohë pasi konflikti të ketë përfunduar”.
SHBA-ja, Ukraina dhe Rusia, nuk janë ndër 123 vendet që kanë nënshkruar konventën, nëpërmjet të cilës ndalohet prodhimi apo përdorimi i këtyre bombave. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: