Trajneri francez Zinedine Zidane ka refuzuar një rikthim të tretë te Real Madrid CF, pasi i ka dhënë fjalën Federatës Franceze të Futbollit, raporton mediumi spanjoll Diario AS.
Zidane është pa klub që prej largimit nga madrilenët, ndërkohë që Reali po kalon një periudhë të vështirë sportive dhe rrezikon të mbyllë sezonin e dytë radhazi pa trofe.
Sipas raportimeve, drejtuesit e klubit, në krye me presidentin Florentino Pérez, kishin kontaktuar Zidanen që në muajin dhjetor për ta rikthyer në stolin e skuadrës dhe për ta zëvendësuar Xabi Alonso.
Megjithatë, tekniku francez kishte refuzuar ofertën, duke bërë të qartë se tashmë kishte arritur një marrëveshje me Federatën Franceze.
Sipas “Diario AS”, Zidane pritet të marrë drejtimin e Përfaqësueses së Francës pas Kupës së Botës 2026, duke zëvendësuar Didier Deschamps në stolin e “Gjelave”.





