Malisheva ka arkëtuar pikët e plota në udhëtim te Prishtina, në sfidën e zhvilluar në Hajvali.
Mysafirët triumfuan me rezultat minimal 0-1, ndërsa heroi i ndeshjes ishte sulmuesi Altin Aliu.
Pjesa e parë përfundoi ashtu siç nisi, pasi asnjëra nga skuadrat nuk arriti t’i konkretizojë rastet. Prishtina ishte më kërkuese gjatë kësaj pjese, megjithatë edhe Malisheva zhvilloi disa kundërsulme të rrezikshme.
Në pjesën e dytë loja u bë më dramatike, kur Prishtina mbeti me një lojtar më pak pasi Samatic u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga loja.
Golin e fitores për Malishevën e shënoi Altin Aliu në minutën e fundit shtesë (90+5’), duke realizuar pas një topi të kthyer nga goditja e një bashkëlojtari.
Me këtë fitore, Malisheva vazhdon fuqishëm garën për Evropë, duke u renditur e treta me 52 pikë, ndërsa Prishtina mbetet në pozitën e katërt me 45 pikë.





