Në emisionin LIBERO u trajtua tema – fertilizimi i asistuar (IVF – In Vitro Fertilization). Paneli diskutoi për procedurat mjekësore, mundësitë që ofron kjo metodë, vështirësitë me të cilat përballen çiftet, si dhe aspektet emocionale, etike dhe paragjykimet që vazhdojnë të ekzistojnë në shoqëri.
Një nga çështjet kryesore (prezente në Kosovë) që u theksua ishte stigmatizimi i grave për mosmundësinë e mbetjes shtatzënë. Sipas gjinekologut, Shefqet Lulaj, për vite me radhë ka ekzistuar një perceptim i gabuar që përgjegjësia bie gjithmonë mbi gruan. “Ka ndodhur që gruaja është maltretuar disa vite dhe në fund është konstatuar që problemi është te bashkëshorti”, u shpreh gjinekologu.
Ky realitet ka bërë që shumë gra të përballen me presion dhe trajtim të padrejtë, ndërkohë që shpesh nuk janë bërë ekzaminimet e nevojshme për të dy partnerët. Lulaj theksoi se sot qasja ka ndryshuar dhe se hulumtimi duhet të fillojë paralelisht te të dy bashkëshortët, për të identifikuar saktë shkakun e infertilitetit.
Një zhvillim pozitiv i përmendur gjatë emisionit ishte se tashmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ofrohen shërbime të fertilizimit të asistuar, duke u dhënë çifteve në Kosovë më shumë mundësi për trajtim brenda vendit, madje dy procedurat e para ofrohen pa pagesë, ndërsa hera e tretë ka një çmim mbi 600 euro. Para dy javësh, për herë të parë në QKUK është konfirmuar një shtatzëni pas Fertilizimit të Asistuar Mjekësor.
Vlen të theksohet se janë dy procedura të mjekimit: njëra me qeliza të veta (te gratë në moshë më të re) dhe te gratë më të vjetra me qeliza të donatorëve. Në QKUK (për momentin) nuk ofrohet shërbimi i dytë (përmes pales së tretë, donatorëve)!
Diskutimi nxori në pah nevojën për më shumë ndërgjegjësim, edukim dhe mbështetje institucionale për çiftet që përballen me infertilitet, si dhe rëndësinë e thyerjes së paragjykimeve që rëndojnë (veçanërisht mbi gratë).
Për ta dëgjuar diskutimin e plotë rreth IVF, klikoni në linkun e mëposhtëm:






