Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri, në emisionin “LIBERO” ka deklaruar se rritja e vazhdueshme e çmimeve në Kosovë po e bën gjithnjë e më të vështirë jetesën për të rinjtë, sidomos për ata që synojnë të jetojnë të pavarur.
Sipas Gurit, në një periudhë shumë të shkurtër kohore është vërejtur një rritje e ndjeshme e kostos së jetesës. “…Para një muaji, nëse ke mundur të jetosh me 500 euro, sot nuk mund të jetosh më me këtë shumë, për shkak të inflacionit dhe rritjes së vazhdueshme të çmimeve…”, është shprehur ai.
Ai ka theksuar se rritja e çmimeve të derivateve është një nga faktorët kryesorë që po ndikon në përkeqësimin e standardit të jetesës. “…Nëse para një muaji ke paguar 1 euro e 30 cent për derivate, sot çmimi ka arritur në rreth 1 euro e 70 apo 1 euro e 80 cent. Jeta po bëhet vazhdimisht më e shtrenjtë…”, ka shtuar Guri.
Sipas tij, për një të ri që dëshiron të jetojë vetëm dhe të ndërtojë një familje, sfidat ekonomike janë jashtëzakonisht të mëdha. Ai vlerëson se një shumë prej 600 deri në 700 euro mund të jetë e mjaftueshme vetëm në rastet kur disa shpenzime bazë, si banimi dhe shërbimet komunale, janë të mbuluara.
Guri gjithashtu ka theksuar se shumica e të rinjve në Kosovë vazhdojnë të jetojnë me prindërit, pikërisht për shkak të kostove të larta të jetesës. Sipas tij, në këto kushte, mbështetja familjare mbetet një faktor kyç për përballimin e përditshmërisë ekonomike.
Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Paris Gurit, klikoni në linkun e mëposhtëm:






