Administrata e Presidentit amerikan, Donald Trump, dhe qeveria e Indonezisë kanë bërë të ditur se kanë finalizuar një marrëveshje për uljen e tarifave amerikane ndaj vendit të Azisë Juglindore në 19%, nga 32% sa ishin më parë.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, në kuadër të marrëveshjes, Indonezia do të ulë barrierat tregtare për më shumë se 99% të importeve amerikane dhe do të lehtësojë blerje të mallrave amerikane në vlerë mbi 30 miliardë dollarë (22.3 miliardë paund), raporotn BBC, transmeton Sinjali.
Uashingtoni njoftoi se ka dhënë përjashtime nga tarifat për disa produkte indoneziane, përfshirë disa lloje veshjesh dhe tekstilesh që prodhohen me pambuk dhe materiale sintetike nga SHBA-ja.
Përfaqësuesi tregtar i SHBA-së, Jamieson Greer, tha se marrëveshja do të “rrëzojë barrierat tregtare” duke avancuar interesat e popullit amerikan.
Marrëveshja u arrit gjatë një vizite në Uashington nga presidenti i Indonezisë, Prabowo Subianto, për të marrë pjesë në mbledhjen e parë të “Bordit të Paqes” të udhëhequr nga Trump, ku u diskutua rindërtimi i Gazës.
Ministri koordinues për çështjet ekonomike i Indonezisë, Airlangga Hartarto, tha se marrëveshja e finalizuar është në dobi të të dyja palëve dhe do të tërheqë investime më të mëdha në Indonezi.
Sipas Airlangga-s, rreth 90% e kërkesave të Indonezisë lidhur me kushtet tarifore janë pranuar nga SHBA-ja.
“Vizioni i kësaj marrëveshjeje është prosperitet ekonomik i ndërsjellë, zinxhirë të fortë furnizimi dhe respekt për sovranitetin e secilit vend”, u tha ai gazetarëve në Uashington.
Ai shtoi se, si pjesë e marrëveshjes, Indonezia ka siguruar përjashtime nga tarifat për më shumë se 1,700 produkte, përfshirë kafenë, erëzat, çokollatën, gomën natyrale dhe, veçanërisht, produktin e saj kryesor të eksportit – vajin e palmës.
Në këmbim, Indonezia do të hapë tregun e saj për produktet amerikane, duke pranuar standardet e SHBA-së për sigurinë e makinave, emetimet, pajisjet mjekësore dhe farmaceutikët, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Indonezia do të heqë barrierat tregtare për importet amerikane në fusha si bujqësia, shëndetësia, produktet e detit, teknologjia dhe produktet që lidhen me industrinë automobilistike.
Ajo është zotuar gjithashtu të blejë mallra amerikane me vlerë miliarda dollarë, përfshirë pambuk, sojë, mish viçi, avionë Boeing dhe energji.
Indonezia do të lehtësojë gjithashtu kompanitë amerikane në zhvillimin e infrastrukturës së mineraleve të rralla në vend, gjë që do ta ndihmojë Uashingtonin të zgjerojë furnizimin me minerale kritike.
Marrëveshja do të hyjë në fuqi pas 90 ditësh dhe mund të bëhen ndryshime në kushtet e saj nëse të dy vendet bien dakord, tha Airlangga.
Të mërkurën, kompani indoneziane dhe amerikane nënshkruan një sërë marrëveshjesh me vlerë 38.4 miliardë dollarë për partneritete në miniera, teknologji, tekstile dhe industri të tjera.
Prabowo tha se këto marrëveshje erdhën si pjesë e marrëveshjes për tarifat dhe do ta ndihmojnë Indonezinë të ulë suficitin tregtar me SHBA-në.
“Jam shumë optimist për të ardhmen e marrëdhënieve tona”, tha ai gjatë një darke të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë të mërkurën.






