Pasi KQZ-ja publikoi numrin e votuesve në komunat për zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare, anëtari i kryesisë së Listës Serbe, Igor Simiq ka pretenduar se “ka parregullsi” që, siç thotë ai, “janë inxhinieri e qartë politike”, dhe se në komunën e Graçanicës, sipas të dhënave të KQZ-së, numri i votuesve është zvogëluar për 740.
Simiq ka thënë “se vazhdon inxhinieria zgjedhore e regjimit të kryeministrit të Kosovës në detyrë, Albin Kurtit”.
“Tani pas përfundimit të zgjedhjeve lokale dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, për vetëm dy muaj, komuna e Graçanicës ka humbur 740 votues serbë sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Dhe sipas këtij numri është e para nga të gjitha komunat e tjera në Kosovë”, ka shkruar Simiqi në një postim në Facebook.
Simiqi gjithashtu ka pretenduar se komuna e Graçanicës, krahasuar me zgjedhjet parlamentare të mbajtura në shkurt, në zgjedhjet lokale vetëm gjashtë muaj më vonë, ka fituar 2.444 votues.
“Nëntëdhjetë për qind e tyre ishin votues shqiptarë që duhej ta mbështesnin listën unike shqiptare në zgjedhjet lokale. Biologjikisht, juridikisht dhe logjikisht është i pashpjegueshëm numri i madh i njerëzve që kanë fituar të drejtën e votës, pothuajse 11 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve në atë komunë për vetëm gjashtë muaj”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se Lista Serbe për të gjitha këto ka treguar publikisht, i është drejtuar përfaqësuesve ndërkombëtarë, por gjithçka ka mbetur njësoj, si dhe se as vëzhguesit e procesit zgjedhor nuk janë interesuar për këtë “fenomen”.






