Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, është shprehur optimist para ndeshjes së play-off-it për Kampionatin Botëror 2026 kundër Sllovakisë.
Kosova do të luajë si mysafir në takimin e parë kundër Sllovakisë, ndërsa në finale do të takohet me fituesin e çiftit Turqi – Rumani.
Në një deklaratë për faqen zyrtare të FFK-së, Foda theksoi se sfida e parë do të jetë shumë e barabartë.
“Ndeshja e parë është si mysafir i Sllovakisë. Ata kanë një ekip shumë të mirë dhe fituan ndaj Gjermanisë në shtëpi me rezultat 2-0”, tha Foda.
Ai shtoi se Kosova ka treguar formë të mirë në ndeshjet e fundit, duke përfshirë fitoret në Suedi, Slloveni dhe kundër Islandës si mysafir. “Ekipi tani ka shumë vetëbesim dhe do të jetë një ndeshje shumë e barabartë”, theksoi përzgjedhësi.
Foda gjithashtu nënvizoi se fokusin kryesor e ka tek Sllovakia, ndërsa finalja mund të zhvillohet në Prishtinë nëse Kosova kualifikohet.
“Nëse e fitojmë këtë ndeshje, pastaj kemi një ndeshje në shtëpi ku mund të vendosim gjithçka. Por, siç e thashë, ndeshja më e rëndësishme është e para në Sllovaki, dhe më pas do të shohim më tej”, përfundoi ai.
Takimi i parë mes Sllovakisë dhe Kosovës zhvillohet më 26 nëntor, ndërsa finalja është e parashikuar më 31 dhjetor, nëse “Dardanët” arrijnë aty.







