Sulmuesi shqiptar Dailon Ramadani ka hedhur një tjetër hap në karrierën e tij, duke u transferuar te klubi kroat NK Karlovac, me të cilin ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare.
20-vjeçari, i lindur në Gjermani, e sheh këtë transferim si një mundësi ideale për të fituar më shumë minuta në fushë dhe për të vazhduar zhvillimin e tij, ndërsa Karlovaci synon rikthimin në elitën e futbollit kroat.
Ramadani e nisi rrugëtimin e tij në futbollin profesionist te akademia e Grasshopper Club Zurich, ku u transferua në vitin 2021 pas shpërnguljes së familjes së tij në Zvicër. Më pas, ai vazhdoi karrierën në Kroaci me NK Hrvace, ku paraqitjet e mira i siguruan edhe një periudhë prove te gjiganti kroat, Dinamo Zagreb.
Pas firmosjes së kontratës, sulmuesi shqiptar u shpreh optimist për sfidën e re.
“Kalimi te NK Karlovac është një hap i rëndësishëm për karrierën time. Dua të fitoj vazhdimësi, të ndihmoj ekipin të arrijë objektivat dhe të dëshmoj vlerat e mia në fushë. Besoj se puna e përditshme dhe minutat e lojës janë çelësi për të ecur përpara”, deklaroi Ramadani.
Me këtë transferim, 20-vjeçari synon të bëjë një tjetër hap përpara në futbollin evropian, duke shpresuar që paraqitjet e tij të mira t’i hapin dyert për sfida edhe më të mëdha në të ardhmen.





