Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka dorëzuar sot zyrtarisht propozimin për themelimin e një Komisioni të posaçëm parlamentar, me qëllim zbardhjen e vdekjeve të 135 ushtarëve shqiptarë që humbën jetën gjatë shërbimit në radhët e Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ) gjatë viteve 1980.
Sipas Kamberit, kjo nismë vjen në një kohë kur autoritetet në Serbi po përgatiten për rivendosjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, duke rritur ndjeshëm shqetësimin e komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës për shkak të përvojave të dhimbshme dhe diskriminimit historik që kanë përjetuar.
“Shumë nga këto raste janë regjistruar si ‘vetëvrasje’, ‘aksidente’ apo ‘shkelje disiplinore’, por familjet e viktimave kanë raportuar vazhdimisht për shenja dhune mbi trupat e të ndjerëve, duke ngritur dyshime të forta për vrasje me motive etnike dhe politike,” ka deklaruar Kamberi në njoftimin e tij zyrtar.
Ai shton se mungesa e hetimeve të pavarura dhe e transparencës në këto raste ka thelluar bindjen për trajtim të padrejtë ndaj shqiptarëve në APJ, në një periudhë të ngarkuar me tensione ndëretnike dhe diskriminim të hapur institucional.
Kamberi thekson se themelimi i Komisionit do të ishte një hap i rëndësishëm drejt drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre, si dhe drejt një procesi të nevojshëm të përballjes me të kaluarën në Serbi. Ai propozon që përveç deputetëve, në përbërjen e komisionit të përfshihen edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe të komunitetit shqiptar.
“Drejtësia për viktimat është gurthemeli i pajtimit dhe i një të ardhmeje më të mirë për të gjithë,” përfundon Kamberi në deklaratën e tij.