Niveli i manganit në ujin e Liqenit të Badocit vazhdon të jetë i lartë, duke pamundësuar furnizimin me ujë të pijshëm për qytetarët e Prishtinës dhe rrethinës.
Mes shqetësimeve të qytetarëve, zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, ka thënë për Telegrafin se janë duke u bërë përpjekje maksimale që gjendja të normalizohet sa më shpejt.
“Analizat e fundit laboratorike tregojnë tendencë në rritje të përqendrimit të manganit si në ujin e liqenit, ashtu edhe në rrjetin shpërndarës. Edhe pse këto vlera e tejkalojnë kufirin e paraparë në Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021. Cilësia e ujit për konsum nga njeriu, deri më sot ato nuk e kanë tejkaluar standardin shëndetësor që konsiderohet se mund të ndikojë shëndetin e njeriut”, tha Mjeku për Telegrafin.
Ajo shtoi se as vlimi i ujit nuk e eliminon manganin.
“Ndotja e ujit me mangan është ndotje kimike dhe se vlimi i ujit nuk e eliminon manganin. Uji mund të përdoret vetëm për pastrim, mirëmbajtjen e higjienës personale dhe të ambienteve të banimit”, potencoi Mjeku.
Duke folur për masat që ka ndërmarrë kompania, ajo theksoi: “KRU ‘Prishtina’ ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme duke zvogëluar sasinë e prodhimit për të ruajtur cilësinë e furnizimit, si dhe ka intensifikuar proceset e shpëlarjes së rrjetit shpërndarës, përfshirë edhe gypat magjistral dhe sekondar. Gjithashtu, për të siguruar furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për zonat e prekura, KRU ‘Prishtina’ do të ofrojë ujë përmes autoboteve, në përputhje me orarin e përcaktuar dhe të prezantuar nga kompania”.
Qytetarët tashmë janë njoftuar nga KRU “Prishtina” se janë në dispozicion autobotët që do t’u ofrojnë ujë të pijshëm sipas orareve që kanë publikuar në faqen e tyre zyrtare në Facebook.
Në fund, Mjeku shprehu pritjen se gjendja do të përmirësohet së shpejti.
“Gjendja pritet shpejt të përmirësohet, me uljen e temperaturave gjatë ditëve në vijim”, potencoi ajo.
Ky fenomen, i cili u shfaq në fillim të shtatorit, ka prekur disa lagje të Prishtinës, Graçanicës, Hajvalisë, Veternikut, Matiqanit, Bregut të Diellit dhe zona të tjera që furnizohen nga Liqeni i Badocit.