Një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri të premten pasdite në rrugën “Papa Klementi” në Pejë.
Viktima, një mashkull kosovar, është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës pas incidentit.
Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari për këtë rast ishte larguar fillimisht nga vendi i ngjarjes me një veturë. Megjithatë, pak kohë më vonë, ai ka vendosur të paraqitet vetë në stacionin policor.
Pas intervistimit nga hetuesit policorë në prani të avokatit të tij mbrojtës, me vendim të prokurorit kompetent, ndaj tij është caktuar masa e mbajtjes, ndërsa rasti po hetohet si vrasje në tentativë.