Autoritetet turke i kanë arrestuar kryetarin e një bashkie të rëndësishme të Stambollit, së bashku me rreth 40 zyrtarë të tjerë, duke e zgjeruar fushatën kundër opozitës në vend. Inan Guney, kryetar i bashkisë së Beyoglut në Stamboll, u dërgua në paraburgim si pjesë e një hetimi për korrupsion.
Sipas mediave turke, në mesin e të arrestuarve janë edhe truproja i Guney, këshilltari i tij dhe ndihmës të tjerë. Komuna e Beyoglut drejtohet nga partia kryesore e opozitës, Partia Popullore Republikane (CHP).
Bashkitë nën kontrollin e CHP-së janë përballur me valë arrestimesh këtë vit, duke filluar me arrestimin e kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, në muajin mars.
Imamoglu, një figurë e njohur opozitare, shihet gjerësisht si sfiduesi kryesor ndaj sundimit dydekadësh të presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe është kandidati i CHP-së për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.
Kritikët thonë se veprimet ligjore janë të motivuara politikisht dhe synojnë të minojnë ndikimin gjithnjë në rritje të CHP-së.
Mirëpo, Qeveria e Erdoganit këmbëngul se gjykatat funksionojnë në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje politike.