Shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale ka miratuar ankesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji duke refuzuar shtyrjen e ekzekutimit të daljes së bizneseve në treg të lirë të energjisë elektrike.
Rreth këtyre zhvillimeve ka reaguar deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti. Ai përmes një reagimi në Facebook, ka shkruar se “çfarë entuziazmi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për t’i detyruar bizneset të blejnë energjinë në treg të hapur”.
“Çfarë entuziazmi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për t’i detyruar bizneset të blejnë energjinë në treg të hapur, ku çmimi është disa herë më i shtrenjtë se çmimi që paguajnë tani?! Çfarë apatie e Qeverisë për këtë situatë të krijuar?! Kësaj situate, jo vetëm që i vjen era, por kundërmon”, ka pohuar Hoti.
Ndryshe, Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DhTIK) kanë shprehur shqetësim të thellë pas vendimit të Dhomës së Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, e cila ndryshoi masën e sigurisë duke lejuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.
OEK, në një njoftim zyrtar thekson se “do të vazhdojë betejën ligjore nëpërmjet mjeteve të tjera ligjore në dispozicion, brenda afateve të përcaktuara, dhe për këtë do të njoftojë me kohë të gjithë anëtarët e Odës Ekonomike të Kosovës”.
Po ashtu, OEK kërkon nga ZRrE që të mos marrë veprime të tjera që do t’i dëmtonin bizneset, të cilat tashmë janë dëmtuar nga vendimet e ZRrE-së që kanë shkuar në dëm të ekonomisë së vendit dhe kanë ndikuar në shtrenjtimin e jetesës së qytetarëve të Republikës së Kosovës.