Ministrja e dorëhequr e Arsimit, Arbërie Nagavci, në emisionin CONTEXT në ATV, deklaroi se gjatë mandatit të saj janë zbuluar dhe luftuar praktika të rënda si blerja e vendeve të punës, diplomave dhe avancimeve të jashtëligjshme në institucione arsimore.
Ajo tha se është përballur me shumë sulme politike për shkak të reformave që kanë prekur interesa të fuqishme në sektorin e arsimit.
“Jam e vetëdijshme që këto sulme kanë qenë pikërisht për shkak të gjithë punëve të mira e reformave që janë bërë. Jam e vetëdijshme që kemi prishë shumë interesa. Ka qenë sekret publik që ka pasë diskutime për blerje të diplomave, për blerje të vendeve të punës, për favorizime, për avansime ndoshta edhe të jashtëligjshme të stafit akademik”, deklaroi Nagavci.
Sipas saj, janë ndërmarrë masa konkrete ndaj institucioneve abuzuese dhe janë mbyllur shumë kolegje që nuk përmbushnin standardet.
“Prej më shumë se tridhjetë kolegjeve private që kanë qenë, ku publikisht është ditur se në shumë raste janë shpërndarë diploma, sot kemi më pak se dhjetë që i plotësojnë standardet. Kemi dorëzuar me dhjetëra lëndë në Prokurori dhe pres që të shqyrtohen. Nuk flasim vetëm për diploma, por për dhjetëra miliona euro të keqpërdorura”, theksoi ajo.
Deklaratën e plotë të Arbërie Nagavcit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: