Universiteti i Harvard-it paditi administratën Trump të hënën pasi qeveria federale anuloi më shumë se 2 miliardë dollarë financime për këtë universitet elitë, raporton agjencia turke AA.
“Gjatë javës së kaluar, qeveria federale ka ndërmarrë disa veprime pas refuzimit të Harvard-it për të përmbushur kërkesat e saj të paligjshme”, tha Presidenti i Universitetit Alan Garber në një deklaratë.
“Pak më parë, ne kemi paraqitur një padi për të ndalur ngrirjen e financimit sepse është e paligjshme dhe përtej autoritetit të qeverisë”, shtoi ai, përcjell KosovaPress.
Sipas padisë, administrata Trump akuzohet për veprim “të paligjshëm” pasi shkel të drejtat e Amendamentit të Parë, si dhe ligje dhe rregullore federale.
“Qeveria përdori kërcënimin e ndërprerjes së fondeve federale si një përpjekje për të detyruar Harvard-in të përshtatet me përzierjen e pikëpamjeve dhe ideologjive të preferuara të Qeverisë”, thuhet në padi.
Ky universitet është i pari institucion i madh akademik që kundërshton hapur udhëzimet e administratës, të cilat zyrtarët e Trump-it i kanë paraqitur si një përpjekje për të luftuar antisemitizmin pas protestave në kampuse lidhur me luftën brutale të Izraelit në Gaza.
Administrata po synon gjithashtu programet për diversitet, barazi dhe përfshirje (DEI), të cilat i ka quajtur “diskriminim të paligjshëm dhe imoral”.
Ndërkohë që administrata Trump pretendon se qëllimi i saj është të luftojë antisemitizmin, Garber tha se ai, si hebre dhe amerikan, e di “shumë mirë” që ka “shqetësime të vlefshme” për rritjen e antisemitizmit.
“Harvard e merr këtë punë seriozisht. Ne do të vazhdojmë të luftojmë urrejtjen me urgjencë… Para se të ndërmarrë veprime ndëshkuese, ligji kërkon që qeveria federale të angazhohet me ne për mënyrat se si ne po luftojmë dhe do të vazhdojmë të luftojmë antisemitizmin”, shtoi ai.