Festivali Ndërkombëtar i Teatrit ‘Prishtina International Theater Festival’ “Burbuqe Berisha” rikthehet këtë vit me edicionin e tij të nëntë, që do të mbahet nga data 19 deri më 24 maj në Teatrin “Faruk Begolli” të Kolegjit AAB.
Promoja e këtij festivali tashmë është publikuar, duke shënuar fillimin e numërimit të ditëve për një ndër ngjarjet më të rëndësishme teatrore në vend.
Në ditët në vijim pritet të bëhet publik edhe programi i plotë i shfaqjeve që do të marrin pjesë në këtë edicion.
Festivali, i cili organizohet nga ART Image në bashkëpunim me Kolegjin AAB, ka karakter garues dhe ndërkombëtar, duke sjellë trupa teatrore nga rajoni dhe më gjerë. Ashtu si në edicionin e kaluar, edhe këtë vit do të ndahen çmimet për më të mirët në kategori të ndryshme, përfshirë:
- Aktori/Aktorja më i/e mirë në rolin kryesor
- Aktori/Aktorja më i/e mirë në rolin dytësor
- Regjia më e mirë
- Shfaqja më e mirë
- Çmimi i publikut
Në edicionin e kaluar, që u mbajt nga 20 deri më 26 maj 2024, pjesëmarrës ishin trupa nga Bosnja e Hercegovina, Gjermania, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova. Po ashtu, festivali u ndoq nga emra të rëndësishëm të artit dhe kulturës, përfshirë edhe përfaqësues institucionalë dhe diplomatikë. /atvlive.tv