Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, njoftoi ndërprerjen e seancës pas dështimit për miratimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve të deputetëve, raporton ATV.
Ai tha se, ndonëse ishin të pranishëm 119 deputetë, mungesa e votave të mjaftueshme e pamundësoi vazhdimin e procedurave.
“Të nderuara deputete dhe deputetë, Shërbimi i deputetëve vërteton se në sallë janë njëqind e nëntëmbëdhjetë deputetë, por për shkak të rrethanave të krijuara, meqë raporti i komisionit në seancë nuk mori vota të mjaftueshme… në këto rrethana detyrohemi ta ndërpresim seancën”, tha Dehari.
Ai shtoi se për këtë zhvillim do të njoftohet zyrtarisht presidentja e vendit.
“Do të përgatisim një letër për ta njoftuar presidentin se si do të veprohet në të ardhmen. Ju faleminderit!”, u shpreh Dehari. /atvlive.tv