Politikologu Lirim Krasniqi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se krijimi i Qeverisë varet nga mënyra se si do të konstituohet Kuvendi, dhe sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje ka dy rrugë të mundshme përpara.
Ai tha se skenari i parë është që Vetëvendosje të krijojë qeveri me minimumin prej 61 deputetësh, gjë që do të mundësonte konstituimin e Kuvendit pa vonesa.
“E para është nëse Lëvizja Vetëvendosje do ta krijojë qeverinë me minimumin e nevojshëm prej gjashtëdhjetë e një deputetësh. Në atë rast ka shumë gjasa që të konstituohet Kuvendi, sepse i duhen vetëm dy deputetë për t’i bërë gjashtëdhjetë e një vota”, tha Krasniqi.
Skenari i dytë, sipas tij, do të kërkonte një koalicion të gjerë që përfshin edhe çështjen e Presidentit, dhe për këtë arsye procesi mund të zvarritet.
“Skenari tjetër varet nëse Lëvizja Vetëvendosje do ta bëjë qeverinë me një shumicë pak më të madhe, e cila do të përfshinte edhe çështjen e Presidentit pas disa muajsh. Për arritjen e kësaj duhet një koalicion i madh me njërën prej partive opozitare të mëdha, që është ose LDK-ja, ose PDK-ja. Unë mendoj që Vetëvendosje do ta zhagisë procesin, nëse synon një koalicion të madh, derisa në një mënyrë t’i lodhë dy partitë e mëdha opozitare”, deklaroi Krasniqi.
Deklaratën e plotë të Lirim Krasniqit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: