“Zhbllokimi” i rrugës për faturim të energjisë në veri, i lidhur me asociacionin

Përgatiti: Fatlum Jashari

Gati një vit e gjysmë pas licencimit të Elektroseverit, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dha shpresë se javën e ardhshme mund të bëhet hapi zhbllokues drejt nisjes së faturimit të energjisë në katër komunat me shumicë serbe në veri.

Pas takimit në Bruksel, të enjten, ai tha se nënshkrimi i kontratës ndërmjet Elektrosverit dhe KEDS-it duhet të ndodhë gjatë javës së ardhshme.

“Është tepër afër. Faktikisht duhet vetëm të nënshkruhen dokumentet dhe duhet një vendim i ZRRE-së për propozimin për tarifat të cilin ka propozuar Elektroseverit karshi KEDS-it. Në atë moment që ZRRE-ja thotë që këto tarifa janë të pranueshme, sepse të njëjtat duhet të përkthehen në MAR-in e KEDS-it gjatë vitit 2024, në atë moment që e marrin këtë dakordim më nuk ka arsye për Elektroseverin që të mos e vendosë nënshkrimin”, tha zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Pa dhënë detaje, në KEDS thanë se janë në sinkron me institucionet shtetërore.
Paralajmërimi për nënshkrimin e kontratës, gjë që sipas Udhërrëfyesit për Energjinë do të duhej bërë më së largu 10 ditë nga licencimi i Elektroseverit, shihet në kontekst më të gjerë.
Teksa përmendi edhe rritjen e interesimit për pajisje me pasaporta dhe me targa të Kosovës në katër komunat në veri, opinionisti Fitim Mulolli vlerësoi se nuk është rastësi që diçka e tillë ndodh në kohën kur Qeveria në parim është pajtuar për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Një element tjetër është kërkesa për pagesën e energjisë elektrike. Është një grup indikatorësh që çojnë të besosh se ose ka ndonjë marrëveshje verbale që paralelisht të bëhen këto gjëra, ose kemi një presion të madh nga faktorët ndërkombëtarë mbi Serbinë dhe serbët në veri që të fillojnë të integrohen si duhet”, tha Mulolli.

Krahas vlerësimit se asociacioni përbën pikë kritike, opinionisti Bekim Kabashi theksoi se krahas paralajmërimeve për energjinë edhe pajisja me targa, tregojnë se situata po lëviz drejt deeskalimit dhe zbatimit.

“Tash jemi në fazën e implementimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Draft-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është pjesë e kësaj marrëveshje, te neni 10 dhe 7. Dhe, tash nëse flasim për zbatimin e marrëveshjeve të cilat kanë filluar, po shihet një dritë në fund të tunelit për implementimin e tyre, edhe ato janë pjesë e asaj marrëveshje në Bruksel, aneks i Ohrit. Në këtë rast edhe marrëveshja për energjinë elektrike”, tha Kabashi.

Në Shkurt të këtij viti, kryeministri Albin Kurti njoftoi se kostoja e përgjithshme buxhetore nga mos-pagesa e energjisë elektrike në katër komunat në veri, që nga viti 1999, është rreth 320 milionë euro.

Kjo kosto mund të rritet në rreth 350 milionë, nëse përfshihen humbjet e këtij viti.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA