Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kërkoi që ish-presidenti i Kosovës të shpallet fajtor dhe të dënohet me gjashtë vjet burgim në rastin për pengim të drejtësisë pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Kjo kërkesë iu drejtua gjykatësit të vetëm të rastit, Christopher Gosnell, nga prokurori i specializuar Joshua Hafetz, në fund të fjalës së tij përmbyllëse.
Për të akuzuarit e tjerë në këtë rast, Prokuroria kërkoi që të gjithë të shpallen fajtor dhe të dënohen me burgim.
Prokuroria kërkoi që Hajredin Kuçi të dënohet me nëntë muaj burgim, ndërkaq, Fadil Fazliu, Isni Kilaj dhe Bashkim Smakaj të dënohen me nga tre vjet burgim secili.
“Akuzat që ZPS-ja ka ngritur dhe që ka vërtetuar janë krime. Përpjekja për të ndërhyrë dhe penguar procesin gjyqësor në këtë gjykatë, paraqet kërcënim për adresimin e drejtë të drejtësisë”, tha prokurori Hafetz.
Në seancën e parë të shpalosjes së deklaratave përmbyllëse vetëm Thaçi është i pranishëm në gjykatore, ndërkaq të akuzuarit e tjerë janë duke e ndjekur seancën përmes video-lidhjes.
Mbrojtja dhe prokurorët do t’i kenë tri ditë kohë për t’i dhënë argumentet e tyre përmbyllëse në këtë rast që ndërlidhet me çështjen gjyqësore kundër Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.
Pas Prokurorisë, radhën e ka mbrojtja e Thaçit, shkruan REL.
Deklaratat përmbyllëse do të mbahen sot, nesër dhe të hënën e 14 shtatorit. Dy ditë pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, Thaçi së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin do të dalin para trupit gjykues për t’u përballur me aktgjykimin për krime lufte gjatë luftës së viteve 1998-‘99 në Kosovë. Për secilin nga ta, Prokuroria ka kërkuar 45 vjet burgim. Të katërtit i kanë mohuar të gjitha akuzat.





