Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se biseda e tij me ish-presidentin amerikan Donald Trump, e zhvilluar muajin e kaluar në Vatikan, ishte më e mira deri më tani mes tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Dy liderët u takuan shkurtimisht në margjinat e funeralit të Papa Françeskut, në një moment vendimtar për Ukrainën, mes pasigurive për mbështetjen e mëtejme të SHBA-ve.
Zelensky u shpreh optimist pas takimit, duke e përshkruar bisedën si më përmbajtjesoren, edhe pse ishte më e shkurtra.
“Unë besoj se patëm bisedën më të mirë me Presidentin Trump nga të gjitha ato që kanë ndodhur më parë,” u tha Zelensky gazetarëve të premten, në një deklaratë të publikuar të shtunën nga zyra presidenciale e Ukrainës.
“Mund të ketë qenë më e shkurtra, por ishte më përmbajtjesorja”.
Në fokus të diskutimit ishin sanksionet e SHBA-së dhe mbështetja ushtarake për Kievin. Zelensky tha se komentet e Trump mbi sanksionet ishin “shumë të forta” dhe theksoi rëndësinë e forcimit të mbrojtjes ajrore të Ukrainës.
“I tregova për sasinë dhe ai më tha se do të punonin për këtë, se këto gjëra nuk janë falas”, shtoi Zelensky.
Të dy liderët ranë dakord se një armëpushim 30-ditor do të ishte një hap i duhur përpara në përpjekjet për paqe.
“Ne do të ecim në këtë drejtim”, përfundoi presidenti ukrainas.
Të mërkurën, Uashingtoni dhe Kievi nënshkruan një marrëveshje të rëndësishme për mineralet – një marrëveshje që të dyja palët ishin përpjekur ta arrinin që kur Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë në janar.