Alexander Isak ka bërë të qartë se nuk është penduar për vendimin për t’u larguar nga Newcastle United dhe për t’iu bashkuar Liverpoolit, pavarësisht vështirësive që ka kaluar që nga transferimi.
Sulmuesi suedez iu bashkua “Reds”-ave në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës në vitin 2025, për një shumë rekord prej 125 milionë funtesh. Megjithatë, aventura e tij e parë në Anfield nuk shkoi sipas pritshmërive, pasi pati vështirësi nën drejtimin e Arne Slotit.
Situata u komplikua edhe më shumë në dhjetor, kur Isak pësoi një frakturë në këmbë që e mbajti jashtë fushave për rreth katër muaj.
Në sezonin e kaluar, suedezi realizoi vetëm katër gola në 22 paraqitje, ndërsa këtë edicion ka nisur në mënyrë më pozitive nën drejtimin e Andoni Iraolas, duke shënuar tri gola në gjashtë ndeshje.
Liverpooli ende nuk ka pësuar humbje në sezonin 2026/27, ndonëse në katër ndeshjet e para të Premier League ka regjistruar vetëm një fitore dhe tri barazime.
Pavarësisht periudhës së vështirë, Isak thotë se nuk ka pasur asnjë moment pendese për vendimin e tij.
“Jo, kurrë. Nuk do të mendoja kurrë në atë mënyrë”, ka deklaruar Isak për BBC Sport, kur është pyetur nëse është penduar për transferimin.
“Fraktura në këmbë ishte e vështirë. Kushdo që ka pasur një lëndim të gjatë do ta dinte këtë. Por, nga ana tjetër, kur je në një vend të mirë dhe ndihesh mirë, nuk ke prirje të shikosh prapa, sepse kjo nuk të sjell ndonjë përfitim”.
“Prandaj, thjesht po shikoj përpara dhe ndihem vërtet optimist dhe i emocionuar për sezonin dhe për atë që mund të na sjellë”, ka shtuar sulmuesi suedez.
Tani Isak dhe Liverpooli do të fokusohen te sfida e radhës në Premier League, ku “Reds”-at do të përballen me Bournemouthin në fundjavë.





