18.7 C
Pristina
E mërkurë, 8 Maj, 2024

Vuçiq: Radojiçiq ndodhet në Serbi, nuk është i plagosur

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, gjendet në Serbi dhe do të merret në pyetje nga organet serbe.

“Ai definitivisht do t’i përgjigjet ftesës nga autoritetet kompetente në Serbi. Republika e Serbisë dhe autoritetet kompetente do të bëjnë punën e tyre”, tha ai.

Në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, Vuçiq tha se Radoiçiqi gjendet në territorin “e Serbisë qendrore” dhe mohoi se është i plagosur.

Kosova ka akuzuar Radoiçiqin se ka udhëhequr dhe ka marrë pjesë në sulmin më 24 shtator ku u vra një polic i Kosovës dhe tre sulmues të dyshuar.

“Millan Radoiçiq kurrë nuk është fshehur, kurrë nuk është turpëruar për rolin e tij… në diçka që ka ndodhur që nuk është në të mirë të Serbisë apo që nuk i ka sjell dobi Serbisë”, tha ai.

“Ai e konsideron veten luftëtar të lirisë, ai kurrë nuk ka hequr dorë nga shokët e tij dhe kurrë nuk do ta bëjë, por ka gjëra dhe pyetje që ai duhet t’iu përgjigjet”, tha presidenti serb.

Për pjesëmarrjen e pretenduar të Radoiçiqit në sulmin ndaj Policisë – i cili është nën sanksione amerikane dhe kërkohet në Kosovë për frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor të njohur si Brezovica – ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka publikuar edhe një video të incizuar me dron, që tha se e shfaq zyrtarin e Listës Serbe në Banjskë.

I pyetur për vërtetësinë e videos dhe nëse Radoiçiq ishte në Banjskë, Vuçiq tha se kjo do të përcaktohet nga autoritetet kompetente.

Kur u pyet për qëllimin e grupit të armatosur që sulmoi policinë e Kosovës, Vuçiq tha:

“Si mund ta di këtë, por jam i sigurt se ata shkuan të ruanin shtëpitë e tyre dhe u përgatitën për sulme në të ardhmen”.

Vuçiq tha se se pjesëtarët e grupit të armatosur që sulmoi Policinë e Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, “nuk janë terroristë”.

“Për mua si president i Serbisë ata njerëz nuk mund të jenë terroristë. A mund ta justifikojë vrasjen e një polici… nuk ka asnjë justifikim dhe për këtë autoritetet shtetërore do të ndërmarrin hapa”, tha ai.

Vuçiq tha se tani ka më shumë informacione sesa në ditën kur ndodhi sulmi, kur iu drejtua publikut në Serbi.

“Ne do të kërkojmë që të na i tregojnë pamjet me dron se si u vra polici. Nuk ishte një vrasje e planifikuar”, tha ai.

Presidenti serb sërish mohoi se shteti i tij qëndron prapa sulmit në Banjskë.

Çfarë ndodhi në veri më 24 shtator?

Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i maskuar dhe i armatosur, teksa forcat e rendit po tentonin të largonin barrikadat që ishin vendosur në një rrugë në fshatin Banjskë të Zveçanit – një prej katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe.

Grupi i armatosur më pas u strehua në manastirin e Banjskës, prej ku gjatë gjithë të dielës u përlesh me policinë.

Aktualisht, katër persona janë të arrestuar për ngjarjet në Banjskë, teksa Policia ka ekspozuar më 25 shtator armë dhe pajisje të tjera që ka thënë se janë konfiskuar në këtë fshat.

Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër sulmin dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë. /REL

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA