Pas një starti pozitiv, Shqipëria rikthehet sonte në fushë për të zhvilluar ndeshjen e dytë në edicionin e ri të Ligës së Kombeve. Kuqezinjtë përballen me San Marinon në Serravalle, me takimin që nis në orën 20:45.
Synimi i skuadrës së Rolando Maranit është i qartë: të marrë një tjetër rezultat pozitiv dhe të vazhdojë rrugëtimin në këtë garë me ritëm të mirë.
Për sfidën e sontme, trajneri italian ka bërë disa zgjedhje në listën e lojtarëve. Naser Aliji nuk do të jetë pjesë e 23-shes dhe do ta ndjekë takimin nga tribuna, ndërsa vendin e tij e ka zënë Luis Hasa.
Aliji i bashkohet kështu Sabah Kerjotës dhe Feta Fetait, të cilët gjithashtu janë lënë jashtë listës së ndeshjes për arsye teknike.
Në ndërkohë, Klisman Cake nuk është i gatshëm për shkak të një dëmtimi, ndërsa portieri Simon Simoni është larguar nga grumbullimi i Kombëtares A për t’iu bashkuar ekipit U-21.
Rregullorja e UEFA-s përcakton se për një ndeshje mund të jenë në dispozicion maksimalisht 23 futbollistë.
Edhe pse kundërshtar është San Marino, Maran ka zgjedhur të ruajë alternativa të ndryshme në formacion. Në mesfushë, Ylber Ramadani dhe Stavro Pilo pritet ta nisin takimin nga stoli, duke qenë opsione për pjesën e dytë.
Në prag të sfidës, përzgjedhësi Rolando Maran dhe kapiteni Berat Gjimshiti kanë kërkuar përqendrim maksimal nga skuadra dhe një paraqitje sa më të mirë.
Shqipëria e nisi këtë edicion me fitore ndaj Bjellorusisë, ndërsa San Marino vjen pas humbjes së thellë kundër Finlandës.
Në letër, kuqezinjtë kanë avantazhin, por stafi teknik kërkon që ky superioritet të dëshmohet edhe në fushën e lojës. Shqipëria synon të hyjë në ndeshje me seriozitet dhe të mos i lërë asgjë rastësisë.
Tashmë mbetet vetëm që kuqezinjtë ta përkthejnë këtë ambicie në rezultat dhe të kërkojnë tri pikët në Serravalle.





