Trajneri i Kombëtares së Turqisë, Vincenzo Montella, ka shpallur listën përfundimtare prej 26 futbollistësh që do ta përfaqësojnë vendin në Kupën e Botës 2026.
Për Turqinë, ky është një moment historik, pasi rikthehet në Kampionatin Botëror për herë të parë që nga viti 2002, kur arriti suksesin më të madh në histori duke fituar medaljen e bronztë. Skuadra e Montellës konsiderohet nga shumë analistë si një nga përfaqësueset që mund të befasojë në turne.
Trajneri italian ka përzgjedhur një ekip ku rolin kryesor e kanë yjet e brezit të ri, 21-vjeçarët Arda Güler dhe Kenan Yıldız. Ndërkohë, lideri dhe figura më me përvojë e skuadrës mbetet Hakan Çalhanoğlu.
Turqia siguroi kualifikimin për në Kupën e Botës pas një fushate dramatike. Pasi përfundoi e dyta në grupin e saj pas Spanjës, skuadra e Montellës triumfoi në ndeshjet e play-off-it ndaj Rumanisë dhe Kosovës, duke siguruar biletën për në Botëror.
Një përforcim i rëndësishëm për mesfushën turke është Can Uzun, i cili vjen pas një sezoni të shkëlqyer me 10 gola dhe pesë asistime.
Nga lista e zgjeruar mbetën jashtë disa emra të njohur, përfshirë Yusuf Akçiçek, Aral Şimşir, i cili shënoi 23 gola sezonin e kaluar, si dhe Atakan Karazor dhe Ahmetcan Kaplan.
Katër lojtarët e fundit që u eliminuan para finalizimit të listës ishin Şengezer, Eskihellaç, Tinaz dhe Sari.
Megjithatë, vëmendjen më të madhe të mediave e tërhoqi mungesa e portierit Berke Özer. Në nëntor të vitit të kaluar, ai u largua vullnetarisht nga kombëtarja pasi mësoi se nuk do të ishte në protokoll për ndeshjen ndaj Bullgarisë. Ky veprim nuk u prit mirë nga Montella dhe drejtuesit e Federatës Turke të Futbollit, gjë që duket se ndikoi në vendimin për të mos e përfshirë në listën përfundimtare për Kupën e Botës 2026.





