Max Verstappen ka vazhduar me kritikat e tij ndaj zhvillimeve të fundit në Formula 1, duke vënë në pikëpyetje edhe entuziazmin e tifozëve për sezonin aktual, i cili nga shumëkush po konsiderohet më argëtues.
Katër herë kampioni i botës është shprehur hapur kundër ndryshimeve në rregullore, të cilat kanë prekur si shasinë ashtu edhe “power unit”-in, duke rritur ndjeshëm varësinë nga energjia elektrike gjatë garave.
Sipas pilotit të Red Bull, roli gjithnjë e më i madh i baterisë në Çmimet e Mëdha po e largon sportin nga thelbi i tij, duke e bërë atë më pak të natyrshëm dhe më pak konkurrues. Ai madje e krahasoi këtë qasje me një version të ekzagjeruar të Formula E.
Verstappen nuk i kurseu as tifozët që e shohin këtë ndryshim si pozitiv, duke theksuar se një pjesë e tyre nuk e kuptojnë vërtet se çfarë përfaqëson gara në thelb. Ai shtoi se përvoja aktuale në pistë nuk i duket aspak tërheqëse dhe se dinamika e garës ka humbur autenticitetin që e karakterizonte më parë këtë sport
Piloti holandez e përshkroi situatën si të krahasueshme me një lojë arcade, duke nënvizuar se kjo nuk reflekton më realitetin dhe sfidën e vërtetë të Formula 1.






