Galliani kandidon për president të Federatës Italiane të Futbollit

Gara për kreun e Federatës Italiane të Futbollit (FIGC) po merr formë, pasi Adriano Galliani ka dorëzuar zyrtarisht kandidaturën për postin e presidentit, përmes një përfaqësuesi të tij.
Lajmi është bërë i ditur nga agjencia ANSA, ndërsa kandidatura e Gallianit vjen një ditë pasi edhe Giovanni Malago, komisioneri aktual i FIGC-së, kishte dorëzuar dokumentet për të garuar për këtë pozitë.
Reklamë
Zgjedhjet për presidentin e ri të federatës janë caktuar të mbahen më 14 dhjetor, ku dy emrat pritet të përballen për drejtimin e futbollit italian.
Galliani ka marrë mbështetjen e Shoqatës së Futbollistëve Italianë (AIC) dhe asaj të trajnerëve (AIAC), ndërsa Malago është kandidati i mbështetur nga klubet e Serie A.
Ndërkohë, në zhvillimet e fundit është përfshirë edhe presidenti i Lazios, Claudio Lotito, i cili ka paraqitur kandidaturën për një vend në Këshillin Federal të FIGC-së.
Lotito, i cili kishte qenë pjesë e këtij organi deri në shkurt të vitit 2025, është paraqitur në selinë e federatës në Via Allegri për të dorëzuar dokumentacionin përkatës.
Tashmë vëmendja është përqendruar te asambleja zgjedhore e 14 dhjetorit, ku do të vendoset se kush do ta marrë drejtimin e Federatës Italiane të Futbollit për periudhën e ardhshme.
Reklamë









