Nga Atlanta në Miami, G20 përballë kostos ekonomike

AKADEMIK, PROF.ANASTAS ANGJELI
Takimi i ministrave të Jashtëm të G20-s në Atlanta, më 30–31 tetor, përfundoi pa një komunikatë të përbashkët dhe pa fotografinë tradicionale të pjesëmarrësve. Kundërshtimet ndaj pranisë së Rusisë dhe mosmarrëveshjet për luftërat, tregtinë dhe përfaqësimin brenda grupit nxorën në pah vështirësinë e bashkëpunimit mes fuqive kryesore. Për samitin e udhëheqësve në Miami, më 14-15 dhjetor, ky është një paralajmërim politik, por mbi të gjitha ekonomik. Vendet që duhet të bashkëpunojnë për të mbrojtur rritjen dhe stabilitetin po përdorin gjithnjë e më shumë marrëdhëniet ekonomike si instrumente të konkurrencës strategjike.
Reklamë
Megjithatë, mungesa e një komunikate ministrore nuk do të thotë se samiti është i paracaktuar të dështojë. Raportimi i “Reuters” tregonte se një deklaratë e kryesisë ishte e pritshme në Atlanta dhe se përpjekja më e madhe negociuese po përqendrohej te një deklaratë e përbashkët e udhëheqësve në dhjetor. Ministrat nuk e mbyllën mundësinë e kompromisit; ata lanë të hapura çështje që tashmë kërkojnë vendime në nivelin më të lartë politik. Problemi është se këto çështje nuk ndahen më lehtësisht në situatata e sotme ekonomike dhe gjeopolitike.
1-SIGURIA ENERGJETIKE DHE INOVACIONI TEKNOLOGJIK.
Presidenca amerikane synon ta rikthejë G20-n te rritja dhe prosperiteti, duke theksuar energjinë e përballueshme, lehtësimin e barrës rregullatore dhe inovacionin teknologjik. Por diskutimet në Atlanta treguan se siguria energjetike, zinxhirët e furnizimit dhe tregtia ndërkombëtare varen drejtpërdrejt nga zhvillimet politike dhe ushtarake. Kjo është kundërthënia që do të shoqërojë samitin e Miamit per sa kohe qe ekonomia kërkon parashikueshmëri, ndërsa marrëdhëniet mes fuqive kryesore prodhojnë pasiguri.
Pas kësaj kundërthënieje qëndron ndërvarësia. Edhe kur qeveritë synojnë të zvogëlojnë varësinë nga rivalët, ato mbeten të ekspozuara ndaj çmimeve ndërkombëtare të energjisë, furnizimeve industriale, transportit dhe kushteve financiare. Për këtë arsye, ndarjet politike nuk mbeten brenda sallave diplomatike. Ato mund të përkthehen në kosto prodhimi, çmime konsumi, vendime investimi dhe shpenzime buxhetore.
Energjia është lidhja më e drejtpërdrejtë mes konfliktit dhe ekonomisë. Në Atlanta, shqetësimet për lundrimin në ngushticat e Hormuzit dhe Bab el-Mandebit u lidhën me sigurinë e furnizimeve. Diskutimet përfshinë gjithashtu naftën, gazin natyror të lëngshëm dhe plehrat kimike si pjesë të zinxhirëve që mbështesin sigurinë energjetike dhe ekonomike.
Rëndësia e këtyre diskutimeve shkon përtej furnizimit të pikave të karburantit. Kur energjia dhe transporti shtrenjtohen, bizneset përballen me kosto më të larta për prodhimin dhe shpërndarjen e mallrave. Në varësi të konkurrencës dhe kërkesës, ato mund t’i kalojnë një pjesë të këtyre kostove te konsumatorët ose të pranojnë fitime më të ulëta.
2-INFLACIONI DHE POLIKA MONETARE.
Shqetësimet për inflacionin e nxitur nga energjia dhe për mundësinë e shtrëngimit monetar ishin të pranishme edhe në diskutimet financiare të G20-s në Asheville. Kështu, një krizë sigurie mund të vështirësojë njëkohësisht luftën kundër inflacionit dhe përpjekjet për rritje ekonomike.
Ky është një problem veçanërisht i vështirë për politikëbërësit. Nëse presionet mbi çmimet vazhdojnë, hapësira për uljen e normave të interesit mund të kufizohet. Por financimi më i shtrenjtë rëndon mbi bizneset, familjet dhe shtetet. Në takimin e ministrave të Financave, shqetësimet për borxhin, inflacionin dhe kushtet fiskale u shoqëruan me tronditje në tregjet e obligacioneve. Për Miamin, kjo do të thotë se debati për rritjen nuk mund të shkëputet nga pyetja se sa kushton financimi i saj.
3-TARIFAT DHE POLITIKA TREGTARE.
Një front tjetër, po aq i rëndësishëm, është tregtia. Ndarjet ekonomike që do të mbërrijnë në Miami nuk filluan në Atlanta. Në takimin financiar të Asheville-it, Kina kundërshtoi pjesë të deklaratës së kryesisë që trajtonin çekuilibrat ekonomikë dhe praktikat e cilësuara si jotregtare. Pjesëmarrësit e tjerë mbështetën thirrjen që ekonomitë me suficite të mëdha e të vazhdueshme të jashtme të hiqnin politikat që kufizojnë konsumin e brendshëm dhe nxisin varësinë e tepruar nga eksportet. Në gjuhë më të thjeshtë, debati është mbi mënyrën se si shpërndahen kërkesa dhe prodhimi në ekonominë botërore. Uashingtoni dhe disa partnerë argumentojnë se prodhimi i mbështetur nga politikat shtetërore dhe i orientuar drejt eksporteve ushtron presion mbi industritë e vendeve të tjera. Por diskutimi nuk është vetëm për Kinën. Deklarata financiare kërkonte gjithashtu që vendet me deficite të vazhdueshme të nxisnin kursimin e brendshëm dhe të përmirësonin ekuilibrat fiskalë. Kjo e bën problemin më të gjerë sesa një përballje mes një eksportuesi dhe partnerëve të tij: përshtatja kërkon ndryshime në të dyja anët e marrëdhënies. Këtu shfaqen edhe dallimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Komisioneri evropian për Ekonominë, Valdis Dombrovskis, e identifikoi Kinën si një burim të rëndësishëm çekuilibrash, por theksoi se edhe SHBA-ja dhe Evropa kanë përgjegjësi për korrigjimin e tyre. Ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil, kritikoi pasigurinë e shkaktuar nga konfliktet tarifore amerikane. Pra, ekzistenca e shqetësimeve të përbashkëta ndaj politikave kineze nuk nënkupton mbështetje të pakushtëzuar për mjetet që përdor Uashingtoni. Për samitin e Miamit, kjo krijon një dilemë konkrete. Tarifat mund të mbrojnë prodhues të caktuar nga konkurrenca e jashtme, por ndryshojnë gjithashtu drejtimin e tregtisë dhe kushtet në të cilat operojnë partnerët. Në Asheville, sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, argumentoi se kufizimet amerikane po e zhvendosnin një pjesë të eksporteve kineze drejt tregjeve të tjera. Në këtë mënyrë, një politikë kombëtare mbrojtëse mund ta transferojë presionin ekonomik te vende të treta, pa e zgjidhur domosdoshmërisht problemin e përgjithshëm të kapaciteteve dhe kërkesës. Pasiguria për tarifat ndikon edhe te investimet. Për një kompani që shqyrton ndërtimin e një fabrike ose zgjerimin e një rrjeti furnizimi, nuk mjafton të njohë çmimet e sotme. Ajo duhet të vlerësojë nëse do të mund të importojë lëndë të para dhe të eksportojë produktet e saj me kushte relativisht të qëndrueshme. Kritikat evropiane në Asheville ndaj pasigurisë tregtare tregonin pikërisht këtë shqetësim: pa besim te rregullat e ardhshme, thirrjet për më shumë investime dhe rritje kanë efekt të kufizuar. Një dimension tjetër është konkurrenca për mineralet kritike. Në Atlanta, administrata amerikane promovoi nismën “Pax Silica”, që synon bashkëpunimin mes vendeve të shqetësuara nga dominimi kinez në tokat e rralla dhe materiale të tjera strategjike. Kjo e vendos sigurinë e furnizimeve në qendër të konkurrencës ekonomike. Çështja nuk është më vetëm nëse një produkt mund të blihet me çmimin më të ulët, por nëse furnizimi do të mbetet i disponueshëm në kushtet e një përplasjeje politike. Diversifikimi mund të ulë cenueshmërinë, por nuk është pa kosto. Ndërtimi i burimeve alternative, kapaciteteve të përpunimit dhe lidhjeve të reja tregtare kërkon investime. Përfitimi i pritshëm është një furnizim më i sigurt; dilema është sa duhet të paguajnë ekonomitë për këtë siguri dhe si shpërndahet kostoja. Nëse partneritetet ndërtohen kryesisht sipas afërsisë politike, ato mund të forcojnë disa zinxhirë furnizimi, ndërsa thellojnë ndarjen e tregut botëror. Shqetësimi nuk është hipotetik në themel: kufizimet mbi eksportet e mineraleve kritike u diskutuan edhe në takimin financiar, ku u kërkua shmangia e kufizimeve të panevojshme që dëmtojnë funksionimin e zinxhirëve globalë. Borxhi publik e bën edhe më të ndërlikuar këtë tranzicion. Qeverive u kërkohet të mbështesin rritjen, të investojnë në energji dhe teknologji, të përballojnë rreziqet e sigurisë dhe njëkohësisht të ruajnë qëndrueshmërinë e financave publike. Por këto objektiva konkurrojnë për të njëjtat burime. Borxhi sovran ishte pjesë e agjendës financiare të G20-s, ndërsa mosmarrëveshjet me Kinën përfshinë edhe formulimet mbi ristrukturimin e tij. Për rrjedhojë, një deklaratë e përgjithshme për zhvillimin në Miami do të mbetet e pamjaftueshme nëse nuk shoqërohet me qartësi mbi financimin dhe trajtimin e vështirësive të borxhit.
4-RIKTHEHET PROBLEMI I SIGURISE USHQIMORE.
Siguria ushqimore lidh edhe më qartë këto çështje me jetën e përditshme. Eksportet ukrainase të drithërave përmes Detit të Zi u trajtuan në Atlanta si pjesë e stabilitetit të furnizimit global. Ndërkohë, diskutimet për energjinë dhe plehrat kimike tregojnë se çmimi i ushqimit nuk varet vetëm nga të korrat: ai lidhet edhe me inputet bujqësore dhe transportin. Për këtë arsye, thirrja amerikane kundër përdorimit të tregtisë ushqimore si instrument shtrëngimi ekonomik ose politik ka një kuptim që shkon përtej diplomacisë. Ajo lidhet me aftësinë për të mbrojtur furnizimin bazë nga përshkallëzimi i rivaliteteve. Pikërisht në këto fusha mund të kërkohet një rezultat realist në Miami.
Samiti nuk ka gjasa të zgjidhë kundërshtitë mbi modelet ekonomike, luftërat dhe shpërndarjen e pushtetit. Por do të ketë vlerë nëse prodhon angazhime të kufizuara, të matshme dhe të ndjekshme për furnizimet thelbësore, transparencën e kufizimeve tregtare apo bashkëpunimin financiar. Këto nuk janë marrëveshje tashmë të arritura, por kritere për të dalluar një rezultat ekonomik nga një sukses thjesht ceremonial. Çështjet politike do të vazhdojnë ta rëndojnë këtë përpjekje. Mosmarrëveshjet mbi pjesëmarrjen e Rusisë, mosftesën e Afrikës së Jugut në Atlanta dhe propozimin për anëtarësimin e Polonisë tregojnë se diskutimi prek edhe legjitimitetin e tryezës negociuese. Një forum nuk mund të kërkojë zbatim kolektiv të angazhimeve nëse pjesëmarrësit nuk kanë besim te mënyra se si përcaktohen përfaqësimi dhe prioritetet. Prandaj, testi i Miamit nuk do të jetë vetëm nëse udhëheqësit arrijnë të dalin në një fotografi apo të miratojnë një deklaratë. Do të jetë nëse mund ta bëjnë ekonominë botërore disi më të parashikueshme: me furnizime më të sigurta, më pak pasiguri tregtare dhe një drejtim më të qartë për bashkëpunimin financiar. Atlanta tregoi se vendet e G20-s njohin shumë prej të njëjtave rreziqe, por nuk bien dakord për zgjidhjet. Miami do të tregojë nëse ky hendek mund të ngushtohet përmes vendimeve konkrete, përpara se kostoja e tij të vazhdojë të kalojë te bizneset, buxhetet publike dhe familjet.
Reklamë










