Kalo te përmbajtja
Të fundit

Prishtina triumfon në Gjilan ndaj Dritës dhe rikthehet në krye të Superligës

Nga Gazetar i verifikuar i ATV

Shto ATV në Google(hapet në dritare të re)

Ndaj

Ndani këtë artikull përmes

Ose kopjo linkun

Prishtina triumfon në Gjilan ndaj Dritës dhe rikthehet në krye të Superligës

Prishtina ka shënuar një fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Dritës, duke triumfuar me rezultat 1-2 në ndeshjen e mbetur të javës së dytë të Albi Mall Superligës së Kosovës.

Skuadra e drejtuar nga Orges Shehi arriti ta ndalë ecurinë prej katër fitoreve radhazi të gjilanasve, duke marrë tri pikë të vlefshme në një transfertë mjaft të vështirë. Njëkohësisht, kryeqytetasit morën një lloj revanshi për humbjen e pësuar nga Drita në Hajvali disa javë më parë.

Reklamë

Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe Prishtina kaloi në epërsi që në minutën e shtatë. Blendi Baftiu shfrytëzoi një top të kthyer brenda zonës dhe me një goditje të bukur realizoi për 0-1.

Reagimi i vendasve nuk vonoi shumë, pasi në minutën e 19-të Blerim Krasniqi arriti të barazojë shifrat në 1-1, duke rikthyer Dritën në lojë. Pavarësisht rasteve të krijuara nga të dyja skuadrat, pjesa e parë u mbyll me rezultat të barabartë.

Në fraksionin e dytë, Prishtina u tregua më efikase dhe arriti të rikthejë epërsinë në minutën e 51-të. Ishte Ardian Hasani ai që realizoi me kokë, duke e dërguar topin në rrjetë për rezultatin 1-2.

Deri në fund, të dyja skuadrat kërkuan golin, por rezultati nuk ndryshoi më dhe Prishtina arriti të largohet nga Gjilani me pikë të plota.

Me këtë triumf, Prishtina rikthehet në pozitën e parë të tabelës së Albi Mall Superligës me 29 pikë, ndërsa Drita mbetet në vendin e tretë me 23 pikë.

Në xhiron e ardhshme, kryeqytetasit do të përballen me Vushtrrinë në udhëtim, kurse Drita do të kërkojë rikthimin te fitorja në transfertën ndaj Drenicës.

Reklamë