PËRGATITI: ARMAND HOTI
Në plan qe transportimi i 500 mijë tonëve mallra por, në vagonët e dedikuar për këtë punë, që posedon ndërmarrja Trainkos u transportuan vetëm afro dy mijë tone, gjatë vitit 2024.
Departamenti i transportit të mallrave në kuadër të ndërmarrjes, edhe vitin e kaluar performoi me humbje.
Shitjet e biletave për udhëtarët që përdorën linjën Prishtinë – Pejë, nuk i sollën fitime Trainkos-it, as në 2024-tën. Ky departament, operoi me humbje prej 186 mijë eurosh.
Në total, Trainkos regjistroi humbje afro 490 mijë eurosh, vitin e kaluar.
Bllokimi i linjës hekurudhore Fushë Kosovë – Hani Elezit që nga viti 2021 ia ndërpreu krejtësisht transportin e mallrave ndërmarrjes, duke shkaktuar dëm mbi tetë milionë eurosh.
ATV raportoi edhe më parë për performancën financiare negative të ndërmarrjes, për vitin e kaluar. Ndërkaq Trainkos, edhe vitin 2023 e kishte mbyllur me humbje prej afro 273 mijë eurosh.