Të paktën 1,000 persona kanë vdekur dhe 2,376 të tjerë kanë pësuar lëndime si pasojë e tërmetit 7.7 shkallësh Rihter që ka goditur Birmaninë të premten, ka bërë të ditur televizioni shtetëror i vendit.
Në ndërkohë, tërmeti ka lënë të vdekur edhe 9 persona në Tajlandë, si dhe mbi 30 të tjerë të bllokuar nën rrënoja.
Regjimi ushtarak që udhëheq me Birmaninë ka bërë kërkesë për ndihmë humanitare nga bashkësia ndërkombëtare dhe ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në gjashtë rajone të vendit.
Disa shtete kanë dërguar ekipet e tyre të shpëtimit si përpjekje për të lehtësuar situatën pas dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësia natyrore. Lëkundjet kanë shkaktuar dëme edhe në Bangladesh dhe Kinë, ndërsa janë ndier deri në Vietnam.
Epiqendra e tërmetit ishte 17 kilometra larg qytetit me popullatë 1.2 milionëshe të Mandalait. Vetëm 12 minuta pas tërmetit të parë, një tjetër tërmet me magnitudë 6.4 shkallë kishte goditur Birmaninë.
Epiqendra e tërmetit të dytë ishte 18 kilometra në jug të qytetit të Sagaingut.