E ardhmja e Irani në Kupa e Botës FIFA mbetet ende e paqartë, ndërsa zhvillimet politike dhe të sigurisë po ndikojnë drejtpërdrejt në organizimin e ndeshjeve të këtij kompeticioni madhor.
Sipas raportimeve të fundit, përfaqësuesja iraniane nuk është e gatshme të udhëtojë drejt Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku janë planifikuar të zhvillohen të tre ndeshjet e saj në fazën e grupeve. Ky qëndrim lidhet me tensionet dhe konfliktin aktual që përfshin SHBA-në dhe Izraeli në raport me Iranin, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë dhe pjesëmarrjen e skuadrës.
Në këtë situatë, Irani i është drejtuar FIFA-s me kërkesë që ndeshjet e tij të zhvendosen në Meksika, një nga vendet bashkëorganizatore të turneut. Megjithatë, organi më i lartë i futbollit botëror ka refuzuar këtë mundësi, duke theksuar se kalendari dhe vendet e zhvillimit të ndeshjeve janë të përcaktuara paraprakisht dhe nuk mund të ndryshohen në këtë fazë.
Pavarësisht refuzimit të FIFA-s, autoritetet meksikane kanë shprehur gatishmëri për të pritur përfaqësuesen iraniane. Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, deklaroi se vendi i saj është i hapur për një zgjidhje të tillë:
“Nuk ka problem për Meksikën. Është thjesht çështje logjistike e FIFA-s. Është e realizueshme sepse ata fillimisht kishin ndërmend të shkonin në Shtetet e Bashkuara. A mund ta luajnë turneun këtu në Meksikë? Kjo po shqyrtohet dhe ne do t’ju informojmë në kohën e duhur”, theksoi ajo nga Mexico City.
Megjithatë, realiteti organizativ e bën këtë skenar shumë të vështirë për t’u realizuar. Me vetëm rreth 12 javë deri në fillimin e turneut, ndryshimet në kalendar dhe logjistikë konsiderohen pothuajse të pamundura.
Një tjetër çështje që mbetet e hapur është se çfarë do të ndodhte në rast se Irani do të kalonte fazën e grupeve. Pjesa më e madhe e ndeshjeve të fazës eliminatore zhvillohen në SHBA, çka do ta rikthente sërish problemin në plan të parë.
Ndërkohë, pritet një vendim përfundimtar nga FIFA, i cili do të përcaktojë nëse Irani do të marrë pjesë në këtë Botëror apo do të përballet me një përjashtim të mundshëm, në një situatë ku sporti dhe politika janë ndërthurur më shumë se kurrë.






