Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Të dyshuarit për rrahjen e më pas plagosjen gjatë të hënës, të një personi në lagjen e Muhaxhirëve, vazhdojnë të jenë në arrati.
Për kapjen e tyre, Prokuroria Themelore në Prishtinë, po kërkon ndihmë nga qytetarët.
Sipas tyre, kushdo që ka informacione relevante rreth rastit, të bashkëpunojë me autoritetet ligjzbatuese.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se menjëherë pas marrjes së informatave për plagosjen e një personi në Prishtinë, kemi autorizuar Policinë e Kosovës për marrjen e veprimeve të nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Sigurojmë opinionin publik se në koordinim me hetuesit policorë kemi ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”, thuhet në njoftimin nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Rasti për të cilin tashmë kanë nisur hetimet, sipas informacioneve zyrtare të institucioneve të rendit, nisi të hënën rreth orës 10 në Lagjen e Muhaxhirëve në Prishtinë, fillimisht me rrahje e më pas u shkrep edhe arma në drejtim të një personi.
Por e gjitha nuk mbaroi vetëm me aq.
Në orët e mbrëmjes të së hënës përsëri pati gjuajtje me armë.
Sipas informacioneve që ka siguruar ATV-ja, në rrugën “Shaip Spahiu”, të dyshuarit kanë gjuajtur mbi 10 herë në drejtim të një personi, mirëpo plumbat kanë përfunduar në veturën e tij.





