Play-off-i i basketbollit të Kosovës hyn në një fazë vendimtare këtë fundjavë, me zhvillimin e ndeshjeve të katërta gjysmëfinale, të cilat mund të përcaktojnë edhe dy skuadrat finaliste.
Në përballjen e parë, Bora pret Bashkimi në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë. Skuadra nga Prizreni udhëheq serinë 2:1 dhe ka mundësinë që me një fitore ta sigurojë finalen, ndërsa Bora kërkon barazimin për ta çuar serinë në ndeshje vendimtare.
Një ditë më vonë, vëmendja zhvendoset në Pejë, ku Peja përballet me Trepça. Edhe këtu mitrovicasit kanë epërsinë 2:1 dhe synojnë ta mbyllin serinë, ndërsa vendasit kërkojnë reagim për të mbetur në garë për finale.
Të dyja ndeshjet nisin nga ora 19:30 dhe pritet të sjellin spektakël e tension maksimal, pasi çdo gabim mund të jetë vendimtar.
Nëse Bashkimi dhe Trepça triumfojnë, finalistët do të dihen menjëherë. Por në rast se Bora dhe Peja arrijnë fitore, atëherë gjithçka do të vendoset në ndeshjet e pesta, ku drama e play-off-it do të arrijë kulmin.





