Ish-ambasadori i Kosovës në ShBA, Avni Spahiu, në një intervistë në emisionin ‘Compass’ në ATV, tha se Kosovës i mungon një agjenci lobuese në ShBA.
Ai tha se Kosovës i mungon aktualisht një grup i miqve në Kongresin amerikan që do të mbronte interesat e saj, pasi shumica e atyre që e kanë mbështetur dikur janë tërhequr nga skena politike.
“Neve tani na mungon një grup i miqve në kongresin amerikan të çështjes shqiptare siç ka qenë në të kaluarën dhe i cili nuk ekziston më për shkak se një pjesë e kongresmenëve, të senatorëve, etj. ose janë pensionuar ose nuk janë më në shërbim në kongres, andaj ky grup duhet të ripërtërihet, në mënyrë që ata do të artikulonin kërkesat tonë që kemi si shtet”, tha Spahiu.
Ai tha se në këtë fazë të ndjeshme për diplomacinë kosovare, është thelbësore të angazhohet një kompani lobimi në Uashington, për të artikuluar interesat e Kosovës përballë diplomacisë agresive të Serbisë.
“Prandaj, kërkohet që të kemi një kompani lobimi në Uashington sepse ka shumë të tilla atje, mbi 300 me aq sa di unë dhe ne duhet ta kemi një të tillë, pikërisht në këtë moment kur diplomacia serbe është shumë aktive dhe ne kemi shumë nevojë për të, tani kur presim qëndrimin e administratës së re të ShBA-së për Kosovën dhe në këtë mënyrë duhet të jemi aty që të artikulojmë pikëpamjet tona përmes kompanive lobuese, nëse duam që gjërat të shkojnë ashtu siç duhet në ketë aspekt”, tha Spahiu.
Për më shumë klikoni në videon e mëposhtme: