Dita e parë e muajit maj është njohur ndërkombëtarisht si Dita e Punëtorëve, një ditë e dedikuar për nderimin e sakrificave dhe kërkesave të punëtorëve për kushte më të mira pune.
Çdo vit, më 1 maj, punëtorët nga të gjitha anët e globit dalin në rrugë për të shprehur solidaritetin e tyre dhe për të kërkuar përmirësimin e kushteve të punës, përfshirë orar të arsyeshëm pune, paga të drejta dhe siguri në vendin e punës.
Kjo ditë ka origjinën nga protestat e vitit 1885 në Australi, ku punëtorët kërkuan një orar pune prej 8 orësh, një kërkesë që do të bëhej simboli i të drejtave të punëtorëve. Motori i këtij protestimi ishte: “8 orë punë, 8 orë pushim, 8 orë gjumë”, një moto që vazhdon të jetë e rëndësishme edhe sot e kësaj dite. Pjesë e historisë së kësaj lëvizjeje është edhe revolta e Haymarket në Chicago në vitin 1886, ku punëtorët kërkuan të drejtat e tyre dhe protestuan për kushte më të mira pune. Protesta u shndërrua në tragjedi kur, në kulmin e saj, humbën jetën 11 persona pas një masakre të përgjakshme.
Në Evropë, 1 Maji ishte fillimisht i lidhur me festat tradicionale rurale të fermerëve, por më vonë, kjo ditë mori një dimension të ri, duke u bërë simbol i lëvizjes moderne të punës. Vendimi për të shpallur 1 maj si Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve u mor në vitin 1891 në Bruksel, dhe që atëherë, është njohur në të gjithë botën.
Në shumë shtete, 1 maji është shpallur ditë pushimi zyrtare dhe është një mundësi për punëtorët të bashkohen, të shprehin kërkesat e tyre dhe të festojnë arritjet e lëvizjes sindikale për më shumë të drejta dhe mundësi të barabarta pune. Dita e Punëtorëve është një kujtesë e vazhdueshme e forcës së bashkimit dhe e nevojës për përmirësimin e kushteve të punës në mbarë botën.