Kombëtarja shqiptare do të zbresë sot në fushë për ndeshjen e parë miqësore nën drejtimin e trajnerit të ri, Rolando Maran. Kuqezinjtë do të përballen me Izraelin në orën 20:00, në një sfidë që vjen në një moment delikat për ekipin kombëtar.
Shqipëria synon të lërë pas zhgënjimin e eliminimit në “play-off”-in e Kupës së Botës, rezultat që çoi edhe në largimin e trajnerit Silvinjo. Me emërimin e Maran në krye të stolit kuqezi, objektivi është rikthimi te rezultatet pozitive dhe ndërtimi i një skuadre konkurruese për sfidat e ardhshme.
Një nga synimet kryesore mbetet paraqitja në Ligën e Kombeve, ku Shqipëria do të kërkojë rikthimin në Ligën B pas zhgënjimit të sezonit të kaluar. Ndërkohë, për këtë ndeshje pritet një numër i kufizuar tifozësh në stadium, me gjasë vetëm në katin e parë të tribunave.
Sa i përket historikut të përballjeve, Shqipëria dhe Izraeli janë ndeshur gjashtë herë deri më tani. Bilanci favorizon izraelitët me katër fitore, ndërsa kuqezinjtë kanë regjistruar dy suksese. Në këto takime nuk është shënuar asnjë barazim. Izraeli ka realizuar në total nëntë gola, kundrejt gjashtë të Shqipërisë.
Përballja e parë mes dy skuadrave u zhvillua në nëntor të vitit 2016, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2018, ku Izraeli fitoi 3-0 në Shqipëri. Megjithatë, kuqezinjtë reaguan në ndeshjen e kthimit, duke triumfuar me të njëjtin rezultat në transfertë në qershor 2017.
Dy ekipet u përballën sërish në edicionin e parë të Ligës së Kombeve në vitin 2018. Shqipëria fitoi 1-0 në shtëpi, ndërsa Izraeli mori revanshin një muaj më vonë me fitoren 2-0 në fushën e vet.
Në këtë miqësore, kuqezinjtë do të synojnë jo vetëm suksesin për statistikë, por edhe një nisje sa më pozitive të epokës së re me Rolando Maran në krye të Kombëtares.





