Përgatiti: Sara Mulliqi
Ende pa kaluar një javë pas tragjedisë që ndodhi në Jabllanicë të Gjakovës, një objekt tjetër është shembur në Qendrën Historike të Prizrenit.
Lidhur me rastin ka reaguar organizata “Ec Ma Ndryshe”, sipas së cilës kërkohet më shumë përgjegjësi nga institucionet përkatëse.
“Ky nuk është objekti i parë që rrëzohet. Kemi të bëjmë me një neglizhencë të institucioneve për të marrë veprimet me kohë. Komisioni për Vlerësim dhe Rrezikshmëri i Komunës qysh në vitin e kaluar ka potencuar që ky objekt paraqet rrezikshmëri, por Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca nuk ka ndërmarrë veprimet e duhura të cilat ndoshta edhe do ta parandalonin që të kemi një gjendje siç është tashmë ky objekt”, tha Eroll Shabani nga organizata “Ec Ma Ndryshe”.
Në anën tjetër Qendra Rajonale Për Trashëgimi Kulturore në Prizren, së paku dy herë e ka adresuar çështjen tek Drejtoria e Emergjencave dhe Sigurisë.
Njërën tetor të 2024-ës, për dëmtim të objektit prej punimeve nga një ekskavator dhe të fundit më 30 janar 2025 për marrjen e masave emergjente mbrojtëse për sigurimin e ndërtesës dhe të kalimtarëve përreth.
Ndërkaq, Drejtoria Për Siguri dhe Emergjenca njoftoi se tashmë do të merren masa për përforcimin e objektit të rrënuar.
“Gjatë takimit të përbashkët që kemi mbajtur në zyrat e QRTK-së kemi vendosur të bëjmë përforcimin e objektit në fjalë si dhe do të merren masa urgjente për të eliminuar rrezikun. Ekspertët nga QRTK-ja do të bëjnë planin e detajuar për përforcim të objektit së bashku me zyrtarët komunalë gjatë punimeve”, thuhet nw pwrgjigjen Ramuze Shalës nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Prizren
Shembja e këtij objekti sërish ngjalli shqetësime për gjendjen aktuale të trashëgimisë kulturore në vend, ndërsa institucionet vazhdojnë që të premtojnë masa mbrojtëse për objektet që janë të regjistruara si të mbrojtura.