Boksierja kosovare Donjeta Sadiku ka siguruar medalje në Kampionatin Evropian, pasi ka triumfuar bindshëm në çerekfinale.
Sadiku ishte përballë holandezes Maud van der Toorn, ndaj së cilës shënoi fitore të pastër 5:0, duke siguruar kështu kalimin në gjysmëfinale dhe medaljen evropiane në kategorinë deri në 60 kilogramë.
Por rrugëtimi i saj nuk ndalet këtu. Për një vend në finale, Sadiku do të përballet me rusen Kristina Kuluhova, e cila garon për Serbinë.
Kjo do të jetë një tjetër përballje mes dy boksierëve që tashmë njihen mirë. Sadiku e kishte mposhtur Kuluhovën edhe në finalen e Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”.
Tani, boksierja kosovare do të kërkojë ta përsërisë suksesin dhe të sigurojë një tjetër fitore ndaj Kuluhovës, që do ta dërgonte në finalen e Kampionatit Evropian dhe do ta mbante në garë për medaljen e artë.
Sadiku tashmë e ka të garantuar medaljen, ndërsa synimi i radhës është finalja.





