Pas gati tre vitesh larg fushave të tenisit, Serena Williams është gati të bëjë një rikthim që ka befasuar botën e sportit.
Legjenda amerikane, fituese e 23 titujve Grand Slam, ka pranuar një ftesë speciale për të marrë pjesë në turneun e dysheve në “Queen’s Club” të Londrës, duke shënuar kështu rikthimin e saj në garat zyrtare në moshën 44-vjeçare.
Williams nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje zyrtare që nga paraqitja e saj e fundit në “US Open” në vitin 2022, kur i dha fund një karriere të jashtëzakonshme që e vendosi mes emrave më të mëdhenj në historinë e tenisit.
Ish-numri një i botës nuk e fshehu entuziazmin për rikthimin, duke theksuar se “Queen’s Club” është vendi ideal për të nisur këtë fazë të re të jetës së saj sportive. Fusha me bar ka qenë gjithmonë e veçantë për Serenën, pasi aty ka përjetuar disa nga momentet më të paharrueshme të karrierës së saj.
Spekulimet për një rikthim të mundshëm kishin nisur prej muajsh. Ato u intensifikuan pasi Williams u rikthye në programin e testeve antidoping, ndërsa ish-trajneri i saj, Rick Macci, kishte zbuluar se amerikania po stërvitej me intensitet të lartë dhe po shqyrtonte seriozisht mundësinë e rikthimit në konkurrencë.
Tani, pas një mungese të gjatë, një nga figurat më ikonike të sportit botëror është gati të rikthehet sërish në skenë, duke i dhënë një tjetër dimension turneut prestigjioz londinez që zhvillohet gjatë këtij muaji.





