Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Taulant Seferi, po kalon një moment pozitiv në kampionatin turk, duke shënuar edhe një tjetër gol me skuadrën e tij Bodrumspor.
Futbollisti shqiptar realizoi nga pika e bardhë e penalltisë, duke i dhënë avantazhin e përkohshëm ekipit të tij në përballjen ndaj Iğdır FK në TFF First League. Kundërshtarët arritën të barazonin rezultatin, por Bodrumspori reagoi duke shënuar edhe dy gola të tjerë.
Njëri prej tyre u realizua nga futbollisti tjetër shqiptar, Omar Imeri, ndërsa në këtë skuadër aktivizohet edhe mbrojtësi Arlind Ajeti. Seferi qëndroi në fushë deri në fund të kohës së rregullt, duke u zëvendësuar në minutat e fundit të takimit.
Ndeshja u mbyll me fitoren 3-2 për Bodrumsporin, një sukses që e mban ekipin në vendin e gjashtë në renditje me 51 pikë, duke vazhduar garën për zonën e sipërme të tabelës.
Ky është një tjetër gol i rëndësishëm për Seferin në javët e fundit, duke konfirmuar formën e mirë që po kalon në kampionatin turk. Në të njëjtën kohë, paraqitjet e tij vijnë në prag të ndeshjes së play-off-it Shqipëria do të zhvillojë ndaj Polonisë më 26 mars, për të cilën trajneri Sylvinho pritet të publikojë së shpejti listën e futbollistëve të grumbulluar.






